
3 Qershor 2021, fillimi i epokës 6 mujore të përpjekjeve donkishoteske të disa njerëzve nga Lezha.
Një qendër rinore (jo-publike), personeli i saj, disa të rinj, një qytet, disa banorë, një bashki! Don Kishotë, mbeturina, kutërbim!
Në një qytet të vogël një qendër rinore na kish spikatur një bashki që në dokumenta zyrtarë, e nxitur nga lart, na kish bërë një plan për të na komunikuar si duhet bërë lufta ndaj mbeturinave të prodhuara nga masat. E quante Plani i Menaxhimit të integruar të Mbetjeve, një aromë Evrope me rregulla, standarde e kallëpe metodash që duheshin përmbushur plotësisht deri në 2021. Mbeturinat do të hidhen në vendin e duhur, njerëzit do të mësojnë ç’është ndarja në burim, kompanitë e grumbullimit do të bënin kompostim e riciklim, të ardhurat nga riciklimi do të ktheheshin në buxhete të shtuara, bashkia do të bashkëpunonte me komunitetin e jeta e të gjithëve në Lezhë do të bëhej pak më e mirë. Në fund, do të bëhet monitorimi për realizimin dhe komuniteti do të ftohej në vendimmarrje e vlerësim performance transparente. A nuk duhet të funksionojë kështu një marrëdhënie e shëndoshë pushtet vendor-banorë komuniteti?! Dokumenti ishte i mirë kopsitur për një kontekst Evropian ku të gjitha hallkat funksionojnë më së miri dhe objektivat janë udhëzues drejt produktit të synuar. Në konteksin tonë lokal, ku hallkat janë në mos të këputura, të ndryshkura keqazi, bashkia kishte ndarë një buxhet prej 250’611’184 lek të reja për periudhën 2017-2020,me të cilat do të mbronte qytetin nga mbeturinat. U kontraktuan tre kompani sipas ndarjeve në tre zona kryesore. Kompanitë private ishin njëra hallkë e këtij zinxhiri që pretendohej ta bënin më të fortë, por ato kryenin vetëm grumbullim dhe depozitim në landfill pa e konsideruar kompostimin dhe riciklimin. Duke marrë në konsideratë pamundësinë për t’iu përmbajtur qëllimeve të veta të parashikuara në planin lokal, bashkia kishte kryer riciklim 0.1 % nga 55% (në 2020) të parashikuara të të gjithë sasisë së prodhuar të mbetjeve, për pasojë bashkia në planin e saj të ri ka gjykuar si më të përshtatshmë për rrethanat që të mos kryhet më riciklim e për pasojë mos të merret me mbledhje të diferencuar të mbetjeve. Kjo nënkupton që banorëve nuk do tu komunikohet asgjë rreth të mirave të praktikimit të ndarjes në burim të mbetjeve.
Në qytet ka banorë që e sigurojnë jetesën e tyre vetëm përmes mbledhjes së mbeturinave të riciklueshme e për ti marrë fillimisht duhet të bëjnë diferencim manual në koshat miks, në kushte aspak dinjitoze. Këto mbetje, fryti i çdo dite e nate pune, më pas i shesin dhe fitojnë të ardhura, me një matematikë të thjeshtë arrihet në konkluzionin se nëse mbetjet do të trajtoheshin sipas planit, edhe bashkia Lezhë do fitonte të ardhura të cilat do përktheheshin në shërbime për qytetarët.
Në keni dëgjuar për Don Kishotin, dini që ai luftoi më mullinjtë e erës, e në keni dëgjuar për të rinjtë e H.A.N.A, don kishotët modern, dijeni se ata luftojnë me mentalitetin prapanik se mbeturinat nuk duhet të trajtohen. I trokiten në derë bashkisë dhe i kërkuan të luftojnë bashkë për ta zgjidhur situatën se ai përbindëshi i quajtur Landfill sa vinte e zgjerohej nga mbeturinat, të bollshme, me tonelata, të padiferencuara, spitalore, të riciklueshme e gjithë kjo sillte pasoja të parikuperueshme për mjedisin dhe shëndetin e banorëve, bashkia e pa të arsyeshmë të lejontë që kjo qendër të takonte banorët e t’iu fliste për diferencimin e mbetjeve dhe kështu filloi një rrugëtim nëpër të cilin po ecin Don Kishotët.
Me grupin e të rinjve në dy pallate të një qyteti të vogël të quajtur Lezhë, vendosen të takojnë banorët, t’iu mësojnë se nëse ata i ndajnë mbeturinat që në shtëpitë e tyre në letër, qelq dhe plastikë përbindëshi nuk do mund të rritej më dhe dëmet që shkaktonte do të ishin më të vogla. Banorët u ndanë në dy kampe, disa e deshën kauzën që në momentin e parë dhe u bënë besnikë, të tjerët ishin dyshues, e mohonin dhe kërkonin prezencën e bashkisë për ta bërë sa më të besueshme për ta, por ishte sezon turistik, kështu quhej në atë kohë dhe punonjësit ishin të fokusuar tek mbledhja dhe grumbullimi i mbeturinave në Landfill, në atë kohë nuk kishte vend për diferencim, prandaj prezenca e Bashkisë sa vinte e bëhej më e vështirë.
Bashkia në bregdetin e Shëngjinit e të rinjtë në qytet, në terrenin e kontrolluar. Këta të fundit i ndërgjegjësuan banorët, dhe ata i ndanë mbeturinat, të paktën një pjesë të mirë të tyre. Këta banorë paskërkan rënë nga një planet tjetër se rëndomtë dëgjohej se nuk njihnin ndërgjegje kur vinte puna për mbeturina. Të rinjtë filluan të motivohen dhe më shumë prej këtij fakti, shkonin çdo ditë tek banorët, i takonin dhe iu flisnin për dobinë e nismës së tyre “utopike”, për 9 ditë ata shkuan nëpër banesa 11 herë gjatë Qershorit, e akoma më shumë gjatë Korrikut i cili është në progres. Në njërën prej godinave dikush i përzuri, ata nuk u demotivuan, por u rikthyen më të fortë në bindjen e tyre. Por padukshëm ekzistonte një frikë, një frikë që nuk thuhej, por ndihej, frikë nga “Don Kishotizmi”.
Landfilli ushqehej me sasinë e mbetjeve qe grumbulloheshin dhe trasportoheshin nga zona urbane dhe Shëngjini jashtë sezonit e cila arrinte 20.63 ton mbetje në ditë ose 7,534 ton në vit (0.7 kg/banor/ditë) për zonat urbane. Gjatë sezonit turistik sasia që grumbullohej trasportohej në lanfilldin e Bushatit shkonte në 55.63 ton mbetje në ditë ose 20,304 ton në vit. Po sikur të ricikloheshin 55%, po sikur edhe më pak por vetëm mos të ishte e qëllimtë që çdo kosh të boshatisej në ladfill?!
E kështu Don Kishotët filluan të kenë më shumë vështirësi, tani lufta nuk ishte më mbeturinat se banorët po i diferenconin, po e kryenin në 80%, lufta filloi me mentalitetin institucional që insiston të kundër-argumentojë se janë banorët që nuk “edukohen” dot kur në fakt nuk është racionale të thuash se një shoqëri nuk e do progresin. E nëse nuk është gati ta përqafojë, të pakten, si çdo shoqëri në botë, nuk eviton dot rregullat e bashkëjetesës të caktuara nga qeveritë, lokale apo qëndrore, kur këto rregulla nxisin drejt progresit.
Bashkia, ka kontraktuar operatorë që nuk kanë infrastrukturën për t’i transportuar mbeturinat e ndara sipas rrymave as në tërësi e as për projektin e vogël të don kishotëve në veçanti. Në fakt, njëri operator ka mjete në dispozicion, por nuk i ka thënë kush ti vërë në dispozicion të Bashkisë Lezhë. E për projektin e vogël të don kishotëve, boshatisjen e koshave dhe transportine tyre e bëjnë vetë ata me makinat e tyre personale, don kishotët, drejt një magazinëe që ua dha Bashkia. Herë pas here të rinjtë bënin dhe fushata pastrimi në lagjen ku ata monitoronin, se po bashkëpunonin me bashkinë dhe punë për tu bërë është, fundja stafi i pastrimit kanë për të pastruar dhe plazhin.
E kur, pre e entuziasmit fillestar, don kishotët nuk insistuan që bashkia ta konsideronte më me seriozitet përpjekjen e tyre duke ofruar një suport institucional përtej koshave të diferencuar (të cilët, për ironi të fatit, janë një dhuratë e Qeverisë Gjermane pikërisht për të nxitur grumbullimin e diferencuar, por dergjen magazinash), ndonëse në një marrëveshje zyrtare kështu u ra dakort, ata, don kishotët, u përballën vetëm me një zgjedhje; osë hiqni dorë ose boshatisini vetë koshat! E llogjika në fjalë vijonte e tillë, nëse hiqnin dorë, duhet të pranojnë edhe që diferencimi nuk mund të bëhët në Lezhë, sepse banorët nuk pranojnë! Po, po, banorët, jo vullneti i mangët institucional! Një ditë prej ditëve, don kishotët i la në baltë makina e tyre personale, thjesht u gjëndën pa të, pa pritur. Mbeturinat e mbledhura, të diferencuara në thasë, qëndruan aty disa ditë derisa grupi i don kishotëve vendosi të paguajë një kamionçinë për ti transportuar, por bashkia i dha një mësim don kishotëve; nëse nuk e bëni punën tuaj siç duhet, atëherë ne do të ndërhyjmë! Do ti transportonin vetë! Kështu, puna e disa javëve vajti në kosh, atë të miksuarin, për tu drejtuar në destinacionin final, landfill e më pas për tu groposur aty përgjithmonë derisa një ditë të riktheheshin me hakmarrjen e tyre duke kontaminuar tokën, ujin e ajrin tonë.
Të rinjtë e kësaj Qendre po kalonin nëpër shumë pengesa, po njëra ishte më së shumti që po tërhiqte vemendjen. Një gjë vazhdonte të habiste don kishotët, të cilët, çmendurak e të pandreqshëm, vazhdonin në të tyren e sigurisht nuk do të heqin dorë me shpresen se përbindëshit Landfill do ja tregonin vendin një ditë, bashkë, jo të vetëm sigurisht; ata çuditeshin me gazetarinë vendase që shpesh herë ngrejnë flamuj përkrenarie për cilësinë e mbulimin e lajmit që ofronin, ndonëse në Lezhë gazetaria lokale është një “sinonim” i zyrave informative të institucioneve publike. Megjithatë, këtë lajm, e kishin harruar së investiguari apo përcjelluri, kushedi mbase janë në plazh e po prodhojnë mbeturina në vënd të lajmeve. Askush se di, ama një gjë është e sigurt, në Lezhë krenohemi me nivelin e pastërtisë së ambienteve publike, se ku i fshehim mbeturinat, nuk ka rëndësi!
Don kishotët dhe mbeturinat, vazhdon!