Tetor 2021 | Në Lezhë ka një kompani prodhuese që është e vetmja e llojit të saj në vend dhe rajon dhe ne ishim për ta vizituar këtë fundjavë në kuadër të fokusit të qendrës në çështjet mjedisore, veçanërisht manaxhimit të mbetjeve.
AZ Group, ku bëjnë pjesë 3 kompani (INCA, Cheer Chews dhe AZ Rendering) prodhon sipas një qarku të mbyllur me 0 mbetje përmes reparteve respektive prodhuese; prodhimi i lëkurës mbështjellëse natyrale të nënprodukteve të mishit, pet chew treats (ushqime shpërblyese për kafshët shtëpiake, qentë), dhe aditivëve ushqimorë në blegtori për performancë më të lartë të shëndetit të kafshëve (proteinë dhe yndyrë shtazore). Prej vitit 2015, Grupi AZ aplikon parimet e ekonomisë qarkulluese duke nënkuptuar që mbetjet shtazore të mbledhura nga mbi 20 thertore në Shqipëri, Kosovë dhe Mal i Zi konvertohen nga mbetje të cilat përfundonin në lumenj apo të groposura e në landfille nga këto biznese shoqëruar me kosto eleminimi, në një produkt të ri-përdorshëm me vlerë të shtuar.
Gjatë vizitës, të rinjtë tanë u shoqëruan nga Drini, Koordinator i Përgjithshëm i Grupit AZ, i cili shpjegoi filozofinë Green të ciklit përpunues me fokus reduktimin e ndikimit negativ mjedisor, një model ndryshe i të bërit biznes në Shqipëri më në zemër vetëdijësimin për adaptimet e nevojshme ndaj ndryshimeve klimaterike në botë. Në ekipin e AZ Group bëjnë pjesë edhe kimistë me gradë shkencore që kontrollojnë cilësinë para, gjatë dhe pas prodhimit dhe masin në çdo kohë komponentët e mundshëm ndotës në ajër përmes aparaturave e teknologjive të caktuara. Drini na foli edhe për episodet e caktuara ku avancimi nga një kompani në tre, është shoqëruar me incidente që kanë sjellë pakënaqësinë e banorëve në Lagje në vitin 2020 si dhe përpjekjet e tyre për ti izoluar me sukses.
Fatkeqësisht, mbi 90% e produkteve të Grupit AZ eksportohen në kontinente të ndryshme, veçanërisht në vëndet e BE, vënde të cilat përftojnë nga kostot më të ulëta të prodhimit cilësor me origjinë krejtësisht natyrale që vjen nga vendi ynë. Nga ana tjetër, normat e importit në Shqipëri për produkte të ngjashme vrasin xhepat e blerësve Shqiptarë, të cilët vinë me kosto të shtuar sepse prodhimi ndodh gjetkë.
Vizita jonë pasuron të kuptuarin rreth operatorëve në vend, në lokalitet sidomos, që aplikojnë parime të zhvillimit të qëndrueshëm përmes modeleve të ekonomise qarkulluese. Falenderojmë përfaqësinë e AZ Group që mirëpritën vizitën tonë studimore duke u përgjigjur e informuar mbi çdo pyetje tonë. Gjykojmë se ky informacion ndihmon të rinjtë e përfshirë për të ndërtuar aftësi të kuptuari e reflektuari mbi temën e manaxhimit të mbetjeve në vend.
Emilia, 15 vjeç
“Unë dje isha pjesë e grupit që vizituam “AZ GROUP” dhe mu duk shumë interesante mënyra se si punonin dhe funksioni që kryente kjo industri. Mendoj se është një ndihmesë e madhe për mjedisin dhe kryesisht mbetjet shtazore. Deri dje nuk e dija funksionin e asaj industrie që përfaqësonin ata dhe më pëlqeu qe e vizitova dhe u informova më tepër për të (pavarësisht aromës ?).
Drita, 18 vjeç
“Nga këndvështrimi im me gojëdhënat e të tjerëve (qytetarëve) ishte krejt ndryshe, kishte shumë organizim të mirë për trajtimin e mbetjeve shtazore. Duke qënë se kisha dëgjuar se ‘fabrika e mbetjeve shtazore hedhin mbetjet e panevojshme në kanalizime”, në fakt nuk më rezultoi që të shihja mbetje për tu hedhur në ndonjë kanalizim duke qënë se pamë se si përpunoheshin të gjitha mbetjet e mundshme. Ishte një eksperiencë e bukur dhe morëm shumë informacione të reja.”