Tetor 2021 | Klubi rinor “Bëhu Burrë”, ndonëse ngjan frazë ç’orientuese në tingull të parë, në fakt është një thirrje për të rinjtë për të konsideruar djemtë si aleatë në përpjekjet për barazi dhe paanësi në një shoqëri që i nxit ata të lundrojnë në ujërat e misogjinisë dhe pa-barazisë gjinore. Po ashtu, një tentative për të ri-dimensionuar termin “burrë” i cili në fakt, për qëllimin e këtij grupi, nuk përkon aspak me përkufizimin tipik me nuanca patriarkalizmi që trysnon djemtë e rinj për të qënë gjinia dominuese në forcë, arritje e kontribute.
Ne kemi vijuar takimet me të rinjtë për të rrëzuar stereotipitë gjinore, ndonëse jo e lehtë.
Në njërin prej takimeve tona, njëra nga vajzat e prezantoi shoqen e saj duke përdorur ndër të tjera epitetin “e lëvizshme” dhe kur ju kërkua ta përkufizonte ajo tha që shoqëria përdor këtë term për vajzat rebele, që nuk bëhen palë me padrejtësitë dhe përpiqen t’i vendosin rregullat vetë se si duan ta jetojnë jeten e tyre. Ajo vetë nuk ishte dakord që shoqja e saj po bënte diçka të gabuar, por nëse për shoqërinë dhe mentalitetin ishte e gabuar, ajo duhej ta shihte si të tillë po ashtu, ndryshe do ta gjykonin edhe atë. Pra, shoqëria për ta përveçse përcakton rolet, përcakton dhe qëndrimet e përpiqet të formësoje dhe mendësinë.
Ata duhet të mendojnë dhe veprojnë siç ju kërkohet nga më të rriturit, nga moshatarë dhe nga i gjithë rrethi në të cilin ata ndodhen, duke ju kufizuar atyre mundësinë për të zhvilluar individualitetin, kreativitetin dhe një mendësi të pakushtëzuar nga mjedisi përreth. Kur pyeten se nëse do ishin të lirë dhe të paparagjykuar nga mjedisi në të cilin ndodhen a do kishin vepruar ndryshe, ata shprehen se nëse nuk do të kushtëzoheshin nga mjedisi i jashtëm dhe faktorët e rrezikut, atëherë ata do të donin të silleshin më ndryshe.
Në familje ata luajnë rolet gjinore që ju janë përcaktuar. Vajzat janë më të fokusuara tek rritja personale dhe kujdesi për familjen, ndërsa djemtë të fokusuar tek sigurimi i të ardhurave dhe ofrimi për të mbrojtur familjen nga rreziqet që mund ti kanosen. Djemtë ndjejnë se duhet të jenë të fortë se janë burra dhe se duhet të mbrojnë gratë dhe vajzat e familjes.
Djemtë e klubit e dinë se vajzat kanë të drejta, por këto të drejta nuk janë për vajzat e familjes së tyre, janë për vajza që rriten dhe jetojnë në kontekste dhe shoqëri të tjera, sepse vajzat që ato kanë përreth akoma duhet punë për t’i arritur dhe arsyetimi që ata japin është; “ne jetojmë në Shqipëri dhe këtu kështu është!” E nëse i pyet si është në Shqipëri, të përgjigjen të gjithë njëzëri se ata e kanë të vështirë sepse gjykohen për sjelljen dhe qëndrimet e tyre, nëse ata duan të difuzojnë rolet; mjedisi përreth nuk e pranon. Janë prindërit të parët që i detyrojnë t’iu përmbahen skemave mendore të lidhura me gjininë.
Kur pyeten nëse i diskutojnë tema të tilla me prindërit ose më të rriturit në familje ata shprehen se gjejnë shumë pak mirëkuptim dhe shpesh vendosin të krijojnë aleanca me moshatarët të cilët i kuptojnë më mirë dhe shpenzojnë më shumë kohë produktive më ta. E megjithatë, edhe kur pyetën se sa kontribuojnë në familje përmes punëve, ata kanë ndrojë të thonë se lajnë, hedhin plehra, pastrojnë shtëpinë dhe rregullojnë dhomën e tyre; nuk mungojnë dhe të qeshurat nën zë.
Djemtë e shohin shprehjen e ndjenjave si dobësi, por nëse ju drejton pyetje dhe përpiqesh të kuptosh më shumë ato janë të gatshëm të bashkëndajnë, gjë që të bën të kuptosh se nuk kanë marrë vëmendjen e duhur dhe nuk ju është kërkuar ta bëjnë më parë dhe çfarë është më e rëndësishmja nuk i ka mësuar askush se të shprehesh dhe të tregosh çfarë ndjen është e nevojshme, e shëndetshme dhe burrërore!