Alienum phaedrum torquatos nec eu, vis detraxit periculis ex, nihil expetendis in mei. Mei an pericula euripidis, hinc partem.

“Art prej koshi”, një nismë e cila ka kthyer riciklimin si stil jetese te të rinjtë

Në fillim na tërhoqi ky emri ‘Art prej koshi’ dhe na u duk diçka e çuditshme edhe lajmëruam profesorin, nëse do të ishte e mundur të merrnim pjesë”.

Kështu rrëfehet Amela, një ndër nxënëset e Lezhës, që u bë pjesë e projektit të qendrës H.A.N.A “Rini, Riciklim, Respekt – Ekosistemi i Dashurisë për Mjedisin”, që synonte të krijonte një ekspozitë artistike ku do të risilleshin disa vepra të trashëgimisë kulturore të qytetit dhe të Shqipërisë përmes ripërdorimit të plastikës.

Amela, së bashku me 20 të rinj të tjerë, u informuan në mjediset e shkollës për ekzistencën e një nismeje të tillë dhe vendosën t’i bashkoheshin, duke qenë skeptikë për rezultatin.

Kam qenë ajo që thoja që nuk bëhet kjo me qese”, – vijon Amela, e cila punoi për të rikrijuar Besëlidhjen e Lezhës me plastikë. “Por në fund u bë dhe u bë shumë bukur, madje u bë aq bukur sa nuk e mendonim”, – kundërshton më tej veten ajo.

Të rinjtë e tre shkollave, “Kosova”, “Gjergj Kastrioti” dhe Shkolla e Mesme e Bashkuar e Zejmenit, nën udhëheqjen e artistit Bib Frrokaj, kanë rikrijuar vepra të një rëndësie kombëtare. Kështu, përmes shisheve plastike, qeseve, plastikës u ndërtua portreti i Gjergj Fishtës, disa kostume popullorë të zonës, Besëlidhja dhe Kalaja e Lezhës.

Në fokus të kësaj punishteje ishte dhe sjellja e veprave artistike që kanë si qëllim të ndërgjegjësojnë komunitetin rreth ndikimeve që ka plastika në mjedis. Këto punime janë propozuar nga vetë të rinjtë.

Idetë fikse janë marrë nga të rinjtë. Kanë hyrë vetë, kanë bërë kërkimet, kanë parë se ça mund t’u jetë dukur më interesante”, – pohon Fabjola Ndoj, koordinatore pranë Qendrës Rinore H.A.N.A, e cila ka punuar intensivisht me ta për dy muaj radhazi.

Ishte pak e vështirë të mbash përqendrimin plotësisht te puna, që të ecë me hapin që duhet të ecë në mënyrë që të mbyllej në kohë pasi ishte planifikuar që të mbyllej në fund të dhjetorit”, – tregon Fabjola, e cila artikulon se krahas lodhjes së koordinimit, ka marrë edhe shumë frymëzim nga dedikimi i të rinjve.

Ka qenë shumë interesante edhe shumë argëtuese të them të drejtën. Në një mënyre më ka dhënë shpresë, shiko se është e vërtetë që e kanë atë pasionin, nuk e kanë humbur”.

Nga riciklimi për krijimin e veprave të artit, te riciklimi si stil jetese

Mua më ka ardhur shumë mirë që më kanë ftuar sepse ky ishte një projekt shumë kreativ. Jo vetëm që po ndihmonim qytetin e Lezhës me heqjen e mbeturinave, por i riciklonim ato, po i kthenim në art”, – pohon Kostandini, nxënësi i shkollës 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë.

Ai rrëfen se ruajtja e mjedisit, si fokusi kryesor i nismës “Art prej Koshi” ishte një temë e trajtuar sipërfaqësisht në mjediset e tjera.

Dikur, kur nuk kisha shumë njohuri për plastikën, isha, si ta them, si të gjithë të tjerët që mbeturinat nuk kishin shumë rëndësi, se nuk e mendoja se çfarë ndodhte pasi hidhje mbeturinat”, – shprehet Kostandini.

Pas kësaj, jo vetëm që e mendoj se çfarë pasojash do të ketë kur i hedh kur i hedh mbeturinat por mundohem t’i ndërgjegjësoj edhe të tjerët që të bëjnë të njëjtin veprim sikur unë”.

Kjo ishte hera ime e parë që kam mësuar kaq shumë rreth plastikës dhe ndikimit e madh që ka në tokën tonë dhe jam shumë e lumtur që mora pjesë”, – konfirmon euforikisht Samanta, një tjetër nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti” që mori pjesë në krijimin e kandilave të detit.

Kam punuar me kandilat e detit, të cilët përfaqësonin oqeanet që po ndoten nga plastika qe vetë ne po e hedhim. Për t’i ndërgjegjësuar njerëzit që edhe deti, gjallesat nënujore, ndikohen shumë, po shumë nga plastika”, – citon ajo.

Nga fëmijët te familja dhe komuniteti

Samanta pohon se fillimisht ndikimi i kësaj punisheteje vjen në nivel personal. “Unë kam ndryshuar shumë! Para këtij projekti, ndoshta e hidhja ndonjë qese, ndonjë ambalazh patatinash përtokë, tani nuk mundem dot gjallë”, – thotë Samanta dhe qesh.

Edhe nëse koshi është me kilometra larg, unë do e mbaj në dorë, derisa ta gjej një kosh”. Jo vetëm Samanta, edhe të rinjtë e tjerë rrëfejnë ndryshimin gradual të përjetuar pas angazhimit dhe marrjes së njohurive të thelluara rreth ndikimit të plastikës në mjedis.

Së pari, ka pasur një impakt shumë të madh te vetja ime pasi e mbaj mend veten time që nuk e kisha aq bezdi ta hidhja një mbeturinë në tokë, nuk  e mendoja shumë gjatë”, – shprehet Ola, nxënëse në shkollë 9-vjeçare.

Sipas Olës, ndikimi është shtrirë edhe tek shokët dhe shoqet e klasës. Në mënyrë që të vazhdonte punimet për bërjen e punimeve artistike, ajo u kishte kërkuar atyre që plastikën nga mbetjet që konsumonin në shkollë mos ta hidhnin, por t’ia dorëzonin asaj.

Gjatë gjithë kohës unë u thoja, merrni ato qeset ose çfarë konsumoni gjatë pushimit të gjatë dhe sillini këtu se më duhet për të arritur diçka. U kemi transmetuar çdo ditë mesazhet se çfarë na thoshin ne dhe mendoj se ka pasur shumë impakt. Edhe te familja ime”, – shton Ola.

Mami im, për shembull, tani shishet plastike i pret në gjysmë dhe i përdor si mbajtëse kripe. Kanë gjetur një përdorim të dytë për mbetjet”, – pason Samanta, e cila po ashtu pohon se ndikimi është shtrirë përtej stilit të saj të jetesës.

Të njëjtën gjë pohon dhe Aroni, një tjetër nxënës i shkollës 9-vjeçare i cili është angazhuar në “Art prej koshi”.

Familja ime ka qenë e gëzuar që mora pjesë në këtë projekt me qendrën H.A.N.A dhe ata kanë reflektuar më shumë se unë ua kam bërë të ditur çdo ditë që të mos të hedhin çdo gjë, sidomos shishet plastike që mund të ripërdoren”, – kallëzon Aroni.

Për të, vepra e cila e ka prekur më shumë është krijimi i qenve të rrugës përmes plastikës. “Unë jam angazhuar te disa po ajo që më ka pëlqyer më shumë ka qenë qentë në Lezhë”, – shtjellon Aroni.

Të vjen pak si keq duke i parë qentë të sëmurë dhe që shteti nuk angazhohet për to, nuk kujdeset fare. Ne bëmë disa punime duke përdorur mbetje të ndryshme plastike, duke e bërë në formë qeni që po ushqehet me to”.

Janë të dëmshme mbetjet!”, – ngulon Aroni.

Të rinjtë e konsiderojnë këtë një eksperiencë shumë të bukur, që do të donin ta vazhdonin dhe më tej, ndërkohë që tashmë angazhohen me organizimet e tjera të zhvilluara nga qendra H.A.N.A.

Me vete kam pasur edhe një shoqe të klasës që ta bënim edhe rrugën pak më të lehtë, pasi ne vinim nga Zejmeni për në Lezhë dhe ishim pak larg. Ja ka vlejtë, nuk jemi penduar fare! Jemi shumë të lumtura që akoma jemi në bashkëpunim me qendrën H.A.N.A, merremi me projekte të tjera”, – përfundon Amela.

Ky artikull është realizuar nga Qendra Rinore H.A.N.A në kuadër të ndërhyrjes “Rini, Riciklim, Respekt – Ekosistemi i Dashurisë për Mjedisin” dhe me mbështetjen financiare të Leviz Albania.

Artikulli është shkruar nga gazetarja Entenela Ndrevataj.