Alienum phaedrum torquatos nec eu, vis detraxit periculis ex, nihil expetendis in mei. Mei an pericula euripidis, hinc partem.

Hierarkia e trajtimit të mbetjeve e kthyer përmbys, nga riciklim në “varrosje” të mbetjeve

Në progres-raportin për Shqipërinë[1], Bashkimi Evropian (BE) kritikon sërish shtetin tonë për mënyrën si ka zgjedhur të trajtojë mbetjet. Duke kthyer hierarkinë përmbys, Shqipëria vijon t’i stivojë mbetjet në landfille, duke anashkaluar trajtimin e tyre në burim, riciklimin apo kompostimin.

“Grumbullimi i ndarë i mbetjeve dhe instrumentet ekonomike që duhet të promovojnë riciklimin dhe ripërdorimin për të parandaluar gjenerimin e mbetjeve mbeten të kufizuara. Shqipëria duhet të promovojë ekonominë qarkulluese dhe duhet të incentivojë parandalimin, reduktimin e gjenerimit të mbetjeve dhe të reduktojë groposjen në landfille”, – shkruhet në raport.

Kjo ka bërë që kompanitë ricikluese të mos jenë efektive, duke funksionuar me kapacitet të limituar.

Fatkeqësisht, sot industria e riciklimit të plastikës si rryme dhe jo vetëm, është gati në kolaps apo e falimentuar, nëse e gjykon nga performanca apo produktiviteti që ajo realizon”, – shprehet Vullnet Haka, nga Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë.

Haka liston një serë arsyesh pse riciklimi si koncept nuk po arrin të implementohet në Shqipëri, duke cituar si kryesoren hartimin e politikave që shkojnë në kah të kundërt me direktivat e BE-së.

Qeveria Shqiptare nga viti 2015 ka përmbysur skemën e parimit të hierarkisë së trajtimit të mbetjeve sipas asaj që kanë vendet e BE-së, duke i dhënë preçedencë asgjësimit të mbetjeve dhe jo ripërdorimit dhe riciklimit”, – thotë ai.


Direktivat e mbetjeve flasin për një proces që kalon në disa hapa që fillon me reduktimin e mbetjeve, ripërdorimin, me riparimin dhe kthimin e mbetjes në qarkullim përmes riciklimit, një pjesë tjetër digjet, ricenerohet dhe ajo që mbetet pastaj, hapi i fundit është landfillimi”, – shpjegon eksperti i mjedisit Abdulla Diku. Në kushtet kur ripërdorimi dhe riciklimi mbeten një “retorikë utopiste”, mbetjet në zonat urbane grumbullohen së bashku dhe dërgohen në landfill. Sipas Abdulla Dikut, vetëm landfilli i Bushatit dhe ai i Sharrës i plotësojnë disi kushtet higjieno-sanitare.

Situata e landfilleve në Shqipëri, shpjeguar nga ekspertët

Bashkia Lezhë ishte një ndër bashkitë më ambicioze sa i përket reduktimit të mbetjeve të dërguara në landfill. Sipas Planit të Menaxhimit të Mbetjeve 2017 – 2021, parashikohej që deri në fund të vitit të shkuar të ricikloheshin 50% e mbetjeve dhe pjesa tjetër të dërgohej në landfillin e Bushatit. Në realitet ky objektiv u arrit në 0%.

Përfaqësues të kompanisë “V.A.L.E Recycling” që ofron shërbimin e pastrimit në Lezhë, pohojnë se i kanë të gjitha kapacitet për të kryer riciklimin e mbetjeve, ndonëse kjo nuk reflektohet në shifra.

Ne jemi një kompani që riciklojmë çdo gjë. Riciklojmë, kthejmë në lëndë të parë, pra plastikën që marrim e kthejmë në lëndë të parë”, – pohon Elvis Miri.

Sa i përket landfilleve, ato janë hapësira të përdorura për grumbullimin dhe groposjen e mbeturinave. Ato funksionojnë duke shtruar mbetjet në një gropë të madhe. Pikat më të thella mund të jenë deri në 500 metra në tokë. Në këto hapësira duhet të dërgohen vetëm mbetje që nuk mund të ripërdoren apo riciklohen.

Në rastin e Shqipërisë, hierarkia e menaxhimit të mbetjeve nuk respektohet dhe të gjitha mbetjet bëhen bashkë në kontejnerë të përbashkët dhe dërgohen në landfille.

Ne krejt volumin e mbetjeve e çojmë të papërpunuar, të përzier mbetjet organike dhe jo organike, që ndotin edhe më shumë njëra-tjetrën dhe çojnë sasi jashtëzakonisht të madhe mbetjesh në landfill”, – shpjegon eksperti Abdulla Diku.

Ideja është që në landfill duhet të shkojnë sa më pak mbetje. Duke qenë se landfillet janë hotspote mjedisore, pra në vetvete paraqesin rrezikshmëri të lartë për mjedisin, duhet të shkojnë sa më pak”, – pohon ai.

Landfillet në Shqipëri çlirojnë gaze të rrezikshme për shëndetin

Jetëgjatësia mesatare e një landfilli është diku te 30-50 vjet. Rodion Gjoka nga Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-Plan) shpjegon pse në terma shkencorë ndërtimi i landfilleve është praktika më pak e stimuluar dhe e këshilluar nga Bashkimi Evropian.

Arsyetimi shkencor është një dhe i vetëm, çdo produkt qoftë ai në formën e mbetjes apo në formën e një produkti që ka mbaruar ciklin e vet jetësor, ka një kapacitet termik për t’u djegur ose ka një kapacitet ekonomik për ta shpërbërë atë në elementë kimikë, nga ku ata mund të furnizojnë me lëndë të parë industrinë. Kështu që ajo çka bëhet është refuzimi i varrosjes së mbetjeve”, – eksperti Gjoka.

Kështu që për të shmangur humbjen e vlera ekonomike dhe termike, BE-ja e ka nxjerrë nga praktika landfillimin e mbetjeve, vetëm në rast se nuk kanë, në asnjë moment se ku t’i dërgojnë”, – pohon më tej ai.

Landfillet tona kanë vetëm administrim të mbetjeve për landfillim, pra, për groposoje por nuk bëjnë as trajtimin e shllamit që del nga kompostimi i mbetjeve, as të gazrave, kështu që nuk e kanë ciklin të plotësuar që të quhen landfille prej vërteti”.

Rodion Gjoka shpjegon se nga proçesi i landfillimit mund të prodhohen ujera të ndotura (shllame) dhe gazra.

Këto të dyja çlirohen në mjedis. Në Evropë, gazin metan e rikuperojnë dhe e shesin si gaz ose e përdorin për të prodhuar energji për të mbështetur nevojat energjetike të vetë landfillit. Shllami konsiderohet mbetje e rrezikshme dhe ajo duhet kapur. Ose e inkapsulon dhe e ruan për ta trajtuar në një moment të dytë ose e trajton nëpër impiante të trajtimit të ujërave të ndotura”, – informon Gjoka. 

Ky artikull është realizuar nga Qendra Rinore H.A.N.A në kuadër të ndërhyrjes “Rini, Riciklim, Respekt – Ekosistemi i Dashurisë për Mjedisin” dhe me mbështetjen financiare të Leviz Albania.

Artikulli është shkruar nga gazetarja Entenela Ndrevataj.