Përtej derës së një prej hyrjeve të pallatit 130 në lagjen “Luigj Gurakuqi” dëgjohen tinguj muzike të lëshuara përmes instrumentit të çiftelisë. Në atë pallat jeton Lukë Rroku, një pensionist në Lezhë, i cili është tejet i interesuar në çështjet që lidhen me menaxhimin e mbetjeve dhe riciklimit.
Sapo ai merr vesh arsyen pse po i trokas derës së tij një ditë fundjave, heq muzikën në sfond. Luka ka qenë pjesë e projektit pilot të ndërmarrë nga qendra rinore H.A.N.A në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë, ku për një periudhë shtatë mujore, mbetjet u diferencuan në burim.
Pas mbarimit të këtij projekti, koshat që ndaheshin në tre grupe: qelq, plastikë, letër/karton u hoqën, për t’u zëvendësuar nga kontejnerë të zakonshëm.
“Funksionoi shumë bukur ca kohë, me qelqurina, me plastikë, edhe me kartona pastaj nuk e di se kush e mori përsipër për ta prish këtë ecuri”, – ankohet i moshuari Lukë.
Për Lukën, ndërprerja e këtij projekti ishte diçka negative, pasi sipas tij, diferencimi i mbetjeve dhe riciklimi janë një çështje të një rëndësie kombëtare.
“Unë pensionist jam dhe të them të drejtën kisha dëshirë, u thosha njerëzve: ‘Ndajini sepse është për të mirën e kombit, është për të mirën e njerëzimit’”, – thotë Luka me entuziazëm.
Dëshirën e tij për ta stimuluar edhe te fqinjët e tij vazhdimin e praktikës së ndarjeve të mbetjeve në burim, e konsideron një lloj propagande që ai ka bërë. “Duhet ta kuptoni, duhet të jeni më me diapazon për të ardhmen”, – kujton disa nga fjalët që ua përsëriste ai fqinjëve.
Megjithatë, pas mbarimit të projektit, grumbullimi i mbetjeve u kthye në formën “klasike” të saj; të gjitha mbeturinat mblidhen bashkë… por jo për Lukën. Ai vazhdon t’i qëndrojë besnik ndarjes së mbetjeve në burim.
“Vetë personalisht i kam të ndara, ja t’i bie tani qeset vetëm për me e pa. Edhe kur i çoj te plehrat, i çoj të ndara. Hë! Edhe kartonat po ashtu, por sot aktualisht nuk më ke gjet me kartona ose me qelqurina të ndara, por e bëj”.
Një tjetër banore e atij pallati pohon njësoj. Ajo rrëfen se madje edhe u ka shpjeguar të rinjve të qendrës H.A.N.A se i ndiqte udhëzimet për diferencimin e mbetjeve, teksa ata kryenin vizita informimi dhe ndërgjegjësimi për projektin pilot “Diferencimi i mbetjeve në burim”.
“Te dera na kanë ardh. Pati dalë burri te dera u ka thanë: ‘Mu mos me hajdeni ma, se unë i çoj atje’. I kemi çu sak, përherë”, – pohon banorja rreth të 50-tave, e cila nuk dëshiron të identifikohet.
“Ok, e morëm iniciativën nga shumë të rinj në qendrës dhe fillimisht kur e paraqitëm na thoshin: “Jo, nuk do të funksionojë’”, – thotë Drita Loci, 18-vjeçarja e cila ka trokitur derë më derë në muajt e verës për të bërë informim dhe ndërgjegjësim te banorët e dy pallateve.
Drita, së bashku me të rinj të tjerë të qendrës H.A.N.A kanë zhvilluar gjithsej 40 vizita dhe monitorime në terren. Kur e pyes atë si do ta përkufizonte këtë përvojë, ajo shprehet kështu: “Ka qenë një ndër eksperiencat më të bukura”, – përgjigjet Drita.
“Fillimisht ka qenë ajo frika se ne nuk do ja dilnim. Përderisa nuk ia kanë arritur disa të rritur, si mund t’ia arrinte qendra jonë?”.
Pas takimeve dhe interesit të vazhdueshëm, banorët bashkëpunuan me qendrën H.A.N.A, duke e kryer proçedurën deri në masën 80%.
“Gjithçka ka fillu duke u përmirësu çdo ditë edhe më mirë. Fillimi ka qenë pak i vështirë, dy-tre ditët e para, pastaj absolutisht çdo gjë bëhej më mirë”, – thotë Loci.
Ashtu sikurse e tregojnë edhe vetë banorët, ndarja e mbetjeve në burim funksionoi gjatë kohës së zhvillimit të projektit pilot.
“Se kush e dha atë urdhër me i hjek koshat, se di!”, – shfryn një djalë i ri, i cili po ashtu zgjedh të mos identifikohet.
Po kush e dha “urdhrin” për heqjen e koshave?
Në 28 maj 2021, me iniciativë të qendrës rinore H.A.N.A u nënshkrua një marrëveshje me Bashkinë Lezhë, të quajtur “Për pilotimin e modelit të diferencimit të mbetjeve në rrugën ‘Luigj Gurakuqi’”.
Këtu u përfshinë tre aktorë kryesorë; bashkia, operatori “V.A.L.E recycling” si dhe të rinjtë e kësaj qendreje, që do të nisnin një fushatë ndërgjegjësuese dhe informuese me banorët e dy pallateve të rrugës “Luigj Gurakuqi” në mënyrë që të vihej në jetë një projekt miqësor me mjedisin dhe komunitetin.
Tre muaj më pas, u konstatuan probleme sa i përket zbatimit të marrëveshjes. Për këtë arsye, më 27.07.2021, qendra H.A.N.A ndërmori një peticion që e firmosën 26 banorë dhe kërkuan dërgimin e operatorëve së paku një herë në javë për boshatisjen e koshave të diferencuar të mbetjeve në zonën ku po zhvillohej projekt piloti.
Një ditë më pas, qendra H.A.N.A dërgoi një tjetër kërkesë dërguar Bashkisë Lezhë, ku u kërkua edhe dërgimi i mbetjeve të diferencuara në infrastrukturën ricikluese, pasi këto mbetje jo vetëm që nuk ricikloheshin, por grumbulloheshin në një magazinë pa afat.
Elson Frroku, përfaqësues i kësaj bashkie, u shpreh se ky projekt ka qenë jashtë agjendës së këtij institucioni dhe pas përfundimit të tij, koshat janë hequr, për t’u zëvendësuar me kontejnerë që nuk i diferencojnë mbetjet.
Sipas Frrokut, edhe mbledhja e mbetjeve ka qenë jashtë agjendës. “Pra, përveçse ka qenë jashtë agjende për vendosjen e kontejnerëve, ka qenë jashtë agjende edhe për çështjen e mbledhjes së mbetjeve”, – pohon ai.
Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe përfaqësues të kompanisë “V.A.L.E Recycling”. Sipas tyre, ata hasnin vështirësi në mbledhjen e mbetjeve përditë, pasi mbulonin Shënkollin, një tjetër zonë të Lezhës.
“Por ishte e pamundur të shkonim ta pastronim përditë pasi nuk ishim ne kompania që operonim aty. S’kam marrë asnjë qindarkë për pastrimin e asaj zone”, – pohon një përfaqësues i kësaj kompanie.
Sa i përket proçesit të riciklimit, Frroku citon se ndonëse projekti-pilot ka funksionuar relativisht mirë, ata nuk e kanë pasur të detyruar të kryejnë riciklim.
“Nuk ekziston një zotim i tillë që ne do ta ndjekim deri te riciklimi, ka qenë totalisht marrëveshje mirëkuptimi”, – përfundon ai.
Diferencim për asgjë, mbetjet sërish u çuan në landfill
Në vitin 2021, sipas “Planit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2017-2021”, kjo bashki prodhoi 18.400 ton mbetje, të cilat përfunduan në landfillin e Bushatit.
Ky plan, në objektivin tre të saj, ka pasur filozofinë e riciklimit, ku bashkia deri në vitin 2021 duhet të siguronte në mënyrë graduale infrastrukturën dhe zbatimin e skemës optimale për ndarjen e mbetjeve në burim dhe riciklimin e tyre, duke filluar nga viti 2017. Në të vërtetëm ky projekt dështoi, duke realizuar 0% riciklim, nga 50% të parashikuar.
Ky artikull është realizuar nga Qendra Rinore H.A.N.A në kuadër të ndërhyrjes “Rini, Riciklim, Respekt – Ekosistemi i Dashurisë për Mjedisin” dhe me mbështetjen financiare të Leviz Albania.
Artikulli është shkruar nga gazetarja Entenela Ndrevataj.