“Me këtë plan, bashkia synon të ndikojë për gjetjen e skemave efikase për të përmbushur të gjitha detyrimet për reduktimin e mbetjeve në landfill, nëpërmjet riciklimit apo kompostimit”.
Kjo ishte fjala përshëndetëse e Pjerin Ndreut, Kryetari i Bashkisë Lezhë, e pozicionuar në faqen e tretë të dokumentit “Plani i Menaxhimit të Mbetjeve 2021 – 2025”, si vazhdimësi e planit për menaxhimin e mbetjeve 2017 – 2021.
Megjithëse koncepti i riciklimit përdoret rëndom nëpër këto raporte, si qëllim për t’u përafruar me direktivat e Bashkimit Evropian (BE) sa i përket menaxhimit të mbetjeve, në realitet situata në Lezhë është e tillë: 0% riciklim.
Në planin e menaxhimit të mbetjeve 2017 – 2021 parashikohej që struktura ricikluese të fillonte në vitin e parë të implementimit për Lezhën, Shëngjinin, Shënkollin, Zejmenin dhe Kolshin (zona 1 dhe zona 2) dhe deri në fund të këtij planit do të reduktoheshin deri ne 50% mbetjet e dërguara në ladnfillin e Bushatit, si pasojë e skemës së riciklimit dhe kompostimit.
“Riciklimi ishte 0%. Një plan i menduar totalisht gabim! E për pasojë duke gënjy veten e duke gënjy edhe qytetarët”, – pohon Elson Frroku nga Drejtoria e Integrimit Evropian, Bashkia Lezhë.
Plani për vitet 2017 – 2021 kishte si objektiv, në pikën tre të saj: Sigurimin në mënyrë graduale të infrastrukturës dhe zbatimin e skemës optimale të nevojshme për ndarjen e burimeve në burim dhe grumbullimin e diferencuar për të përmbushur objektivat kombëtare të reduktimit dhe ripërdorimit të mbetjeve.
Kjo qasje tentoi t’i përafrohej kuadrit ligjor të Bashkimit Evropian, ku sipas direktivës 2008/98/EC trajtimi i mbetjeve bëhej sipas hierarkisë: Parandalim; përgatitje për ripërdorim; riciklim; rikuperime të tjera, p.sh burim energjie dhe asgjësim.
Sipas Frrokut, trajtimi i mbetjeve në Lezhë sipas kritereve të BE-së mbetet utopi për realitetin e kësaj bashkie.
“Kur planifikohet duhet të kesh parasysh çfarë të ardhurash ke, çfarë burimesh njerëzore ke, çfarë kapacitetesh kanë operatorët, ku do të dërgohen, pra janë disa elementë që nëse ti i planifikon duhet t’i kesh gjithmonë në konsideratë”, – thotë ai.
“Duke mos pasur këto hallkat e zinxhirit është parë e udhës që nga grupi i punës që ka hartu planin, që të mos gënjejë më as veten edhe as qytetarët. Pse? Për një arsye të thjeshtë; si kemi këto kapacitete! Nuk i kemi këto mundësi që të bëjmë diferencime”.
Nga ana tjetër, përfaqësues të kompanisë Vale Recycling, operator në Lezhë, pohojnë se i kanë të gjitha kapacitetet për kryerjen e riciklimit dhe kthimin e mbetjeve në lëndë të parë.
Sipas dokumenteve zyrtare, në vitin 2020 janë prodhuar 19.535 ton mbetje në vit, ku përllogariten se 31% e tyre janë mbetje të riciklueshme, pra letër/karton, plastikë, qelq dhe metale dhe 69% janë mbetje të bio-degradueshme.
Pyetësor online si konsultim me publikun
Qendra H.A.N.A ka shprehur në vazhdimësi interes për të qenë pjesë e konsultimeve publike para se Plani i Menaxhimit të Mbetjeve 2021 – 2025 të miratohej. Qendra H.A.N.A pohon se i është drejtuar Bashkisë Lezhë me anë të shkresave dhe komunikimeve për të qenë pjesë e proçesit të hartimit, duke marrë parasysh se arritja e objektivave për riciklim dhe kompostim në planin 2017 – 2021 nga 50% ishte 0%.
Elson Frroku pohon se për çështje pandemie, ata nuk mund të zhvillonin mbledhje dhe publikuan një pyetësor online, ku do të mateshin kënaqësitë e banorëve dhe palëve të tjera të interesit rreth cilësisë së trajtimit të mbetjeve në këtë bashki.
“Për shkak të pandemisë, koncepti i konsultimit publik është bërë përmes një anketimi. Pra, të gjithë qytetarët kanë pasur pesë deri në gjashtë javë kohë për të dhënë mendimet e tyre dhe për të shpreh qasjet e tyre mbi çështjen e mbetjeve”, – thotë Frroku.
Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se 23% e të anketuarve e vlerësojnë këtë shërbim me cilësi të lartë, 43% e të intervistuarve e vlerësojnë cilësinë e shërbimit si të mesme dhe 34% shumë të ulët.
“Plani i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2021 – 2025” është hartuar në muajin mars të vitit 2021, por është bërë i aksesueshëm për publikun gjashtë muaj më pas, në shtator.
Sërish dështojnë praktikat për diferencim mbetjesh; në Shëngjin bëhet bashkë plastika, letra dhe organikja
Në një pasdite fundjave, Mirela* merr mbeturinat e hedhura jashtë koshit në Shëngjin dhe i fut brenda në kontejner. Ndonëse ky kosh është i ndarë në tre nëngrupe, me qëllim diferencimin e mbetjeve, kjo skemë sërish nuk funksionon; plehrat bëhen bashkë.
“Detyra ime është që të mos i lej mbeturinat nëpër tokë, duhet t’i fus brenda në kosh”, – pohon ajo.
“Unë i pastroj një herë në tre ditë që të mos u vijë era e keqe, i zëvendësoj me thasë dhe vjen bashkia i merr. Gjatë verës e bëj përditë”, – thotë Mirela më tej. Prej shumë muajsh, ajo është e punësuar në sektorin e mirëmbajtjes në Lezhë dhe ka në ngarkim pastrimin e disa koshave.
Përgjatë shëtitores në Shëngjin mund të shikosh disa kosha të tillë, herë me mbishkrimet përkatëse se ku duhet të hidhen mbetjet organike, plastike dhe letra, e herë pa mbishkrime. Kjo është një nismë e ndërmarrë nga GIZ (Agjencia Gjermane për Bashkëpunim) në bashkëveprim me Bashkinë Lezhë, e cila qartazi nuk po funksionon.
Ndërkohë që pak javë na ndajnë nga nisja e sezonit turistik, në portin e Shëngjini mbetjet janë të shtrira kudo, ndërkohë që mund të shikohen gjurmë zjarri kudo, çka tregon që aty grumbullohen mbetje dhe më pas digjen.
Teksa e pyes Mirelën për ardhjen e sezonit dhe kushtet e punës, ajo tregon se në verë mbingarkesa është shumë e madhe. Përveç mbingarkesës, ajo nuk ka asnjë ditë pushim në javë. “Gjatë verës i bëj përditë. Shtatë ditë të javës punë. Nuk bajmë pushime hiç, veç kur na ndodh noj hall, noj problem, marrim përgjegjësin në telefon dhe na thotë shkoni ose mos shkoni. 1 vit punë, pesë herë pushim”, – rrëfen ajo.
*Emri është ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin
Ky artikull është realizuar nga Qendra Rinore H.A.N.A në kuadër të ndërhyrjes “Rini, Riciklim, Respekt – Ekosistemi i Dashurisë për Mjedisin” dhe me mbështetjen financiare të Leviz Albania.
Artikulli është shkruar nga gazetarja Entenela Ndrevataj.