
Autor: Paulo Luca, 18 vjeç.
Koha e leximit: 7 minuta
Si një i ri 18-vjeçar nga Lezha, me arsimin 9-vjeçar të kryer në shkollë publike dhe me një vëlla ende nxënës në sistemin publik, kam parë nga afër se çfarë do të thotë neglizhenca institucionale. Çdo fillim viti shkollor, prindërit e nxënësve përgatiten jo vetëm për libra e uniforma, por edhe me kuletën gati për “kontribute vullnetare” në shkollë. Janë para që nuk do të duhej t’i jepnim, nëse Bashkia e Lezhës do të përmbushte detyrimet e saj ligjore për infrastrukturën, higjienën, sigurinë dhe mirëmbajtjen e shkollave publike. Kjo situatë nuk është asgjë tjetër veçse pasqyra e një mungese transparence dhe përgjegjshmërie që rëndon mbi fëmijët dhe prindërit e tyre.
Në këtë shkrim do të sjellim shqetësimet që janë të përjetuara dhe të identifikuara nga nxënësit e arsimit parauniversitar në Lezhë.
Diku rreth fundit të vitit 2024, dërguam një kërkese zyrtare drejtuar Bashkisë së Lezhës, ku kërkohej informacion mbi buxhetet e shkollave publike – si planifikohen nevojat e secilës shkollë apo cili është buxheti specifik për secilën prej tyre – përgjigjet thuajse mungojnë.
Këtyre pyetjeve të thjeshta, të bëra nga përfituesit e këtyre shërbimeve, vetë nxënësit – të cilat çdo institucion transparent mund t’i adresojë lehtësisht – ju dha përgjigje të pjesshme, me gjuhë burokratike që shmangnin thelbin, por edhe pyetje pa përgjigje. Në vend të shifrave konkrete për çdo shkollë, morëm referenca të përgjithshme për “buxhetin total të arsimit”, shoqëruar me këshilla për të konsultuar dokumente të ngarkuara në faqen e internetit, të cilat nuk ndanin informacion sipas shkollave. Fjalë shumë, përmbajtje shumë pak.
Megjithëse Bashkia e Lezhës sipas ligjit Nr. 119/2014 “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT” është e detyruar të ofrojë të dhëna të plota, të kuptueshme dhe të përditësuara, ky detyrim nuk u përmbush. Ligji parashikon që informacioni publik duhet të jetë lehtësisht i aksesueshëm për qytetarët. Në rastin e pyetjeve për arsimin, nuk pati përgjigje thelbësore. Për këtë temë, kërkuesve (nxënës përfitues të këtyre shërbimeve) u këshillohet të shohin Programin Buxhetor Afatmesëm. Tabela që kanë vështirësi t’i analizojnë ekonomistë u jepen gjimnazistëve që ta kenë të vështirë të kuptojnë të vërtetën! Në këtë dokument, arsimi shfaqet si një zë i vetëm. E përgjithshmja që ka në përmbajtje miliona lekë, por asnjë ndarje sipas shkollave, zonave apo shpenzimeve konkrete. Kjo është gjithçka që mund të gjesh në faqen e internetit të Bashkisë së Lezhës. Bëhet fjalë për skanime prej qindra faqesh PDF që prezantojnë vetëm gjëra të përgjithshme, pa asnjë detaj të dobishëm që një nxënës apo prind të kuptojë më shumë se çfarë ndodh me arsimin. Në thelb, bashkia, qoftë me qëllim apo për shkak të paaftësisë, fshihet pas gjuhës teknike për të shmangur llogaridhënien.
Ndërkohë që investimet thelbësore mungojnë, shkollat mbijetojnë kryesisht falë kontributeve të ashtuquajtura “vullnetare”, që në fakt janë të detyruara nga rrethanat. Çdo prind në Lezhë e di që, përveç detyrimeve formale, në jo pak raste do t’i kërkohen para për pastruesen, rojen, bojën, perdet, letrën dhe çfarëdo gjëje tjetër që mungon.
Zyrtarisht, këto mbështetje klasifikohen si vendime të “bordit të prindërve”, por realiteti është se pa to shumë shkollat nuk do të funksiononin dot. Në fshatra, gjendja është edhe më kritike. Mungojnë pastruesit dhe rojet, dhe shpesh mësuesit apo vetë nxënësit mbajnë barrën e punëve të mirëmbajtjes në klasë apo në shkollë. Kjo krijon edhe një shqetësim social, fëmijët që nuk kanë mundësi të kontribuojnë ndihen të turpëruar dhe të përjashtuar. Presioni për të sjellë “taksën” vjetore për nevojat e klasës kthehet në një stres të heshtur për shumë prej tyre, duke cënuar ndjeshmërinë dhe vetëbesimin. Në disa raste, janë etiketuar nga bashkëmoshatarët me terma si “ky s’ka lekë” apo “pabuksi”, çka krijon ndarje sociale brenda klasës dhe thellon ndjenjën e inferioritetit. Kjo më pas kthehet në bullizëm, fenomen që flasin të gjithë por askush nuk tenton t’i gjejë burimin. Kjo nuk është vetëm padrejtësi financiare por dhunë e heshtur psikologjike që nuk ka vend në një sistem arsimor që pretendon të jetë falas dhe gjithëpërfshirës.
Nëse në qytet prindërit arrijnë, me sakrifica, të përmbushin nevojat bazë të shkollës, në fshatra situata është krejt tjetër. Barra bie pothuajse e gjitha mbi stafin pedagogjik. Mësuesit detyrohen të mbulojnë me të ardhurat e tyre mungesat e theksuara të sistemit, që nuk mundëson mjete mësimore apo materiale higjienike. Kjo tablo, e ditur nga çdo prind e mësues, dëshmon qartazi dështimin institucional për të garantuar kushte minimale për një arsim dinjitoz.
Në kuadër të këtij hulumtimi janë zhvilluar biseda me drejtues dhe mësues nga të paktën pesë shkolla të ndryshme të Bashkisë së Lezhës. Të gjithë shprehën shqetësime të thella për situatën, por ndërkohë kërkuan me këmbëngulje që të mbeteshin anonimë. Frika nga trysnia institucionale apo penalizimi për dëshmitë e tyre është heshtja e imponuar ndaj tyre. Ky është alarm për nivelin e lirisë së zërit në sistemin arsimor lokal.
Megjithëse mblidhen fonde nga prindërit, vetë shkollat nuk bëjnë transparencë mbi përdorimin e këtyre fondeve “vullnetare”. Arsimi publik, që duhet të jetë falas dhe i aksesueshëm, po financohet nga xhepat e qytetarëve. Ata paguajnë dy herë për të njëjtën gjë, fillimisht si taksë e më pas si kontribute të padeklaruara.
Hulumtimi mbi fondet për arsimin prezantoi një të vërtetë. Buxheti për shkollat në Lezhë ekziston në letra, por i fshehur pas termave të përgjithshëm dhe tenderave kolektivë. Asnjëherë nuk është e sqaruar kush përfiton konkretisht dhe sa. Duke hulumtuar dokumentet publike dhe ato pak të dhëna që mundëm të nxjerrim, vihen re disa shqetësime.
Së pari, buxheti i bashkisë për arsimin parauniversitar jepet vetëm në bllok. Në vendimet e Këshillit Bashkiak, p.sh. për vitin 2024, shohim një shumë të përgjithshme (disa qindra milionë lekë) për zërin “Arsimi, Rinia dhe Sporti”. Këto janë fonde që përfshijnë pagat e edukatorëve, shpenzimet operative, investimet kapitale, etj. Por ajo që nuk shihet askund në buxhet është ndarja e këtyre fondeve shkollë më shkollë. Për shembull, do të ishte normale të dije sa para janë caktuar për mirëmbajtjen e shkollës “Hydajet Lezha” në qytet dhe sa për shkollën 9-vjeçare në Spiten. Mirëpo buxheti publik nuk e jep këtë informacion, dhe pikërisht kjo u kërkua zyrtarisht, por pa sukses.
Së dyti, kur shikon tenderat e shpallur nga Bashkia e Lezhës ndër vite, vëren një tendencë për t’i trajtuar shkollat në bllok, pa detajuar cila shkollë përfiton konkretisht. Kjo qasje mund të jetë praktike për administratën, por për qytetarët krijon terr informativ dhe aq më keq – mungesë llogaridhënieje.
Për publikun, ngelet e paqartë nëse shkolla e komunitetit të tyre përfitoi me të vërtetë apo u la mënjanë. Kjo praktikë nuk emërton shkollën përfituese, p.sh. tendera për dezinfektimin e shkollave, për furnizime materialesh didaktike, për rikonstruksione çatie apo tualetesh, ku objekti përshkruhet si “në shkollat e Bashkisë Lezhë”. Si rrjedhojë, qytetarët nuk e dinë se ku shkojnë këto investime.
Pavarësisht vështirësisë për të siguruar informacion të detajuar, analizuam dokumentet buxhetore dhe raportet e Bashkisë Lezhë për vitet e fundit, për të kuptuar se sa investohet realisht në arsim dhe si ndahet ky buxhet. Në vitin 2024, sipas raportit të performancës të vetë Bashkisë, 16.4% ose 324,423 milionë lekë nga buxhetit total i saj vetëm 57,818 milionë lekë shkuan për “arsimin” në mallra dhe shërbime. Kjo pjesë shumë e vogël e këtij buxheti “të madh” shkon për mirëmbajtje dhe përmirësim të kushteve të shkollave. Këto janë vlera që mund të ndryshojnë diçka, por edhe këtu, termi është shumë i gjerë dhe përfshin gjithçka. Sipas PBA 2025-2027 “Objekte të arsimit bazë dhe parashkollorë të mirëmbajtura dhe funksionale”, “Objekte të arsimit të mesëm të mirëmbajtura dhe funksionale” buxheti për vitin 2024 ka qënë respektivisht 5,66 milion lekë dhe 2 milione lekë. Për vitin 2025 këto shifra reduktohen në 5.160 milionë lekë dhe 1 milionë lekë. Çuditërisht për vitin 2023 ato janë zero. Pra, përgjatë 2023 nuk ka patur asnjë ndërhyrje. Ndërsa analizon këto të dhëna në zërat e tij të përgjithshëm konstaton se delegohen para për mirëmbajtje, dizinfektim, sanitare, internet, kamera sigurie, kancelari për sekretaritë etj. Shuma duket shumë e vogël kur fillon dhe analizon buxhetin total. Nëse këto para dedikohen në arsim, edhe pse nuk ka asnjë specifikim sa dhe kujt i dërgohen, përse duhet që prindërit të paguajnë sërish në ditët e para të fillimisht të shkollës apo buxhetimi bëhet pa analizë konkrete dhe pa diskutim me grupet e interesit? Gjithsesi, këto të dhëna e bëjnë të pamundur që një qytetar, nxënës apo prind të dijë saktësisht ku ka shkuar paraja publike.
https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2024/01/PBA-2024-2026_compressed.pdf
https://lezha.gov.al/wp-content/uploads/2024/07/Projekt-Dokumenti-PBA-2025-2027.pdf
Në fushata elektorale, çdo politikan lokal e quan arsimin “prioritet”. Por kur vjen puna te ndarja e fondeve dhe transparenca, duket qartë se arsimi është në fund të listës.
Shumë shkolla në Bashkinë e Lezhës kanë probleme infrastrukturore. Në disa prej tyre, mungojnë ende sistemet bazë të ngrohjes apo ndriçimit, muret janë të mykura, dhe tualetet janë në gjendje të mjerueshme. Nëse bashkia nuk ofron as informacion, dhe as zgjidhje, atëherë për çfarë prioriteti bëhet fjalë?
Në vend të projekteve konkrete për përmirësimin e kushteve në shkolla, kemi parë më shumë investime fasadash me vlerë estetike, por nuk ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të nxënësve. Kur institucionet nuk japin informacion, qytetarët fillojnë të dyshojnë në çdo vendim që ato marrin. Në mungesë të transparencës, krijohet një klimë mosbesimi ku çdo investim shihet si klientelist dhe çdo fond i harxhuar shihet si abuzim. Në bisedat që kemi zhvilluar me prindër dhe mësues, ndjesia e përgjithshme është se “ne nuk dimë asgjë për çfarë bëhet me shkollën”. Kur njerëzit nuk informohen, ata ndihen të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse, dhe për pasojë nuk angazhohen.
Situata nuk është pa zgjidhje. Disa hapa të thjeshtë mund të përmirësojnë ndjeshëm transparencën dhe ndarjen e drejtë të fondeve në arsim dhe konkretisht:
1. Publikimi i buxhetit të detajuar për çdo shkollë ku çdo qytetar duhet të ketë mundësi të shohë sa para janë planifikuar dhe realizuar për shkollën e fëmijës së tij.
2. Përfshirja e komunitetit në vendimmarrje ku bordet e prindërve duhet të kenë një rol real dhe jo formal. Ata duhet të jenë të informuar dhe të japin mendim për prioritetet e investimit.
3. Raportim i rregullt për përdorimin e fondeve dhe çdo shkollë duhet të publikojë të paktën një herë në vit se si janë përdorur fondet që ka marrë, qoftë nga bashkia, qoftë nga prindërit.
4. Ndërprerja e praktikës së “kontributeve vullnetare të detyruara”, dhe në vend të saj, të rritet përgjegjësia e bashkisë për të siguruar kushtet bazë.
Si të rinj të angazhuar në qytetin tonë, nuk kemi qëllim të fajësojmë askënd, por që pushteti vendor të jetë më transparent dhe më i përgjegjshëm. Të rinjtë nuk janë thjesht konsumatorë të vendimeve të të tjerëve, por qytetarë që kërkojnë llogari dhe kjo është e drejta jonë. Të dimë se çfarë ndodh me shkollat tona sepse në fund të fundit, nuk po kërkojmë luks, po kërkojmë standart dhe dinjitet.