Alienum phaedrum torquatos nec eu, vis detraxit periculis ex, nihil expetendis in mei. Mei an pericula euripidis, hinc partem.

Hapësirat Sportive në Lezhë – Investime që Kërkojnë Transparencë

Autor: Debora Vata, Giulio Gjeta dhe Klent Gjeta
Koha e leximit: 3 minuta

Vitet e fundit kanë shënuar një rritje të dukshme të interesit për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe hapësirave publike në qytetin e Lezhës. Bashkia ka shpallur objektiva ambicioze për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë, për të ofruar kushte më të mira për edukimin fizik dhe për të promovuar aktivitetin sportiv në komunitet. Ky angazhim është reflektuar edhe në dokumentet strategjike dhe financiare të bashkisë, ku sektori i sportit zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm. Megjithatë, pas premtimeve dhe shifrave të investimeve të konsiderueshme, qëndron një pyetje thelbësore: A janë këto fonde duke u menaxhuar në mënyrë të drejtë dhe transparente, dhe a po sjellin ato një ndikim real në jetën e qytetarëve?

Investimet në hapësira publike dhe sport në Lezhë kanë qenë në qendër të vëmendjes vitet e fundit, duke alokuar fonde të konsiderueshme për investime në këtë sektor me premtime për përmirësim të infrastrukturës dhe krijimin e mundësive më të mira për të rinjtë.

Programi Buxhetor Afatmesëm (PBA) 2025-2027 i Bashkisë Lezhë ka alokuar shuma të konsiderueshme për këtë sektor. Në dokumentin e PBA-së, janë identifikuar disa projekte specifike që synojnë krijimin dhe përmirësimin e hapësirave publike dhe terreneve sportive për të rinjtë dhe fëmijët.Përveç krijimit të hapësirave të reja, PBA-ja parashikon edhe investime në përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese sportive dhe rekreative. Kjo përfshin rikonstruksionin e terreneve sportive në shkolla dhe lagje, si dhe shtimin e pajisjeve të reja për të siguruar kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve. Gjithashtu bashkia ka parashikuar fonde edhe për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe terreneve sportive, duke siguruar që investimet e bëra të jenë të qëndrueshme dhe të ofrojnë përfitime afatgjata për komunitetin. Kjo përfshin krijimin e planeve të mirëmbajtjes periodike dhe trajnimin e stafit përgjegjës për menaxhimin e këtyre hapësirave.

Mbi vleresimin e investimeve ekzistuese ,“Dua të Luaj” është një program kombëtar i Qeverisë Shqiptare me vlerë totale 896 milionë lekë. Programi është i shtrirë në disa qytete dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Referuar të dhënave zyrtare, financimi për ndërtimin e parqeve të mëdha urbane, ka nisur në 2022 dhe planifikohet të mbyllet në 2025.Lezha është qyteti i parë ku nisi zbatimin ky program.
Projekti ka një buxhet total prej 896 milionë lekësh dhe ka nisur zbatimin në Lezhë që nga viti 2022, me një përfundim të planifikuar në vitin 2025. Deri më tani, sipas informacioneve te dhena nga Bashkia e Lezhes për ndërtimin e Parkut ‘Dua të Luaj’ janë financuar 71 milionë lekë nga një total prej 147 milionë lekësh. Por a ka pasur monitorim të qartë të progresit dhe cilësisë së punimeve?

Në pyetjen drejtuar Bashkisë Lezhë mbi monitorimin e cilësisë dhe progresit të punimeve në parkun “Dua të Luaj”, Bashkia Lezhë bëri të ditur se projekti është në kompetencë të pushtetit qendror dhe është ndjekur nga Ministria përkatëse. Kjo përgjigje tregon një mungesë të drejtpërdrejtë të përfshirjes së bashkisë në kontrollin dhe mbikëqyrjen e investimeve.
Megjithëse parku është një aset publik për qytetin dhe përdoret çdo ditë nga qytetarët, veçanërisht fëmijët dhe familjet, mungesa e monitorimit nga ana e pushtetit vendor ngre pikëpyetje për garantimin e cilësisë së shërbimeve dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të tij.

Projekti “Rigjenerimi i hapësirës publike përmes qendrave të integruara të sporteve urbane për pjesëmarrjen e të rinjve” është i dedikuar për Bashkinë Lezhë. Ky projekt, i njohur si RE-GEN, është pjesë e programit URBACT IV dhe synon të nxisë pjesëmarrjen e të rinjve përmes krijimit të qendrave sportive urbane dhe përdorimit të hapësirave publike.
Sipas dokumentit të Programit Buxhetor Afatmesëm 2025-2027 dhe Buxhetit Vjetor 2025 të Bashkisë Lezhë, për projektin “Re-Gen për rininë” është parashikuar një fond prej 1,100,000 lekësh. Një shembull i nevojës për më shumë transparencë është ky projekt.

Një pyetje tjetër drejtuar Bashkisë Lezhë lidhur me ecurinë e shpenzimeve për këtë projekt, u bë e ditur se deri më tani, aktiviteti i vetëm i planifikuar është pjesëmarrja e përfaqësuesve të bashkisë në një takim që do të zhvillohet në prill në Korfuz, Greqi. Shpenzimet për këtë aktivitet do të përfshijnë udhëtimin dhe akomodimin sipas rregullave të programit, ndërsa pjesa tjetër e fondit do të shpenzohet në vijim.
Kjo përgjigje tregon se aktualisht nuk ka një informacion të detajuar mbi përdorimin konkret të fondeve, duke lënë të hapur nevojën për një pasqyrë më të qartë mbi mënyrën se si do të menaxhohet ky buxhet dhe çfarë përfitimesh reale do të sjellë për të rinjtë e Lezhës.

Investimet në sport dhe hapësira publike janë të rëndësishme për komunitetin, por shpenzimi i fondeve publike duhet të jetë i monitoruar dhe transparent. Përderisa shuma të majme po destinohen për këto projekte, qytetarët kanë të drejtë të dinë: A po përdoren këto para për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë e Lezhës apo janë thjesht një mënyrë për të justifikuar buxhetet pa rezultat konkret? Autoritetet duhet të garantojnë që çdo qindarkë e shpenzuar të ketë një ndikim të matshëm dhe të raportojnë qartë mbi progresin e këtyre projekteve.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është rikonstruksioni i terreneve sportive në shkolla dhe lagje. Ndërsa investimet janë premtuar, pyetja që shtrohet është nëse këto projekte po realizohen sipas standardeve të premtuara apo nëse fondet po shpërndahen në mënyrë joefektive.
Përveç ndërtimit të hapësirave të reja, Bashkia Lezhë ka deklaruar se do të sigurojë mirëmbajtje periodike të këtyre ambienteve. A ka një mekanizëm të qartë kontrolli mbi fondet e mirëmbajtjes, apo do të përballemi me të njëjtat problematika si në të kaluarën, ku hapësirat e reja degradojnë për shkak të mungesës së menaxhimit të duhur?

Nga komunikimi me bashkinë, nuk është marrë një përgjigje e drejtpërdrejtë dhe e plotë mbi ekzistencën e një mekanizmi konkret kontrolli të fondeve të mirëmbajtjes.

Investimet në hapësira sportive dhe publike përfaqësojnë një mundësi të artë për qytetin e Lezhës. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, në rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në aktivitet fizik dhe në përmirësimin e shëndetit publik. Por këto përfitime nuk mund të arrihen nëse mungon një kulturë e transparencës, e monitorimit dhe e përgjegjësisë. Fondet publike që destinohen për këto projekte duhet të jenë të verifikueshme, të justifikueshme dhe mbi të gjitha efektive. Nëse nuk përmbushen këto kushte, atëherë çdo investim mbetet vetëm një shifër në letër dhe një mundësi e humbur për zhvillimin e vërtetë të qytetit.

Bashkia e Lezhës duhet të tregojë me vepra që po ndërton jo vetëm hapësira fizike, por edhe besim qytetar. Vetëm atëherë qytetarët do të ndihen vërtet pjesë e një komuniteti ku fondet publike përdoren për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Burimet dhe referenca:

-Programi Buxhetor Afatmesëm 2025-2027 i Bashkisë Lezhë
-Dokumentacioni i projekteve “Dua të Luaj” dhe “RE-GEN për rininë”
-Intervista me zyrtarët e bashkisë