Alienum phaedrum torquatos nec eu, vis detraxit periculis ex, nihil expetendis in mei. Mei an pericula euripidis, hinc partem.

Ndarja e mbetjeve në burim, një utopi për Bashkinë e Lezhës, një nevojë për banorët e saj

Autore Aleksandra Arapi
Koha e leximit: 6 minuta

Kur qytetarët bëjnë përpara institucioneve

Kohët e fundit kam filluar të interesohem më shumë për çështjet që lidhen me mjedisin, sidomos për menaxhimin e mbetjeve në qytetin tim, Lezhë. Nga dëshira për të kuptuar më mirë situatën, vendosa të kërkoja informacione bashkisë dhe më pas të bisedoja me specialistë dhe qytetarë të thjeshtë.
Në Maj të vitit 2021, Qendra Rinore H.A.N.A nisi një projekt pilot për ndarjen e mbetjeve në burim në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë dhe kompaninë “V.A.L.E. Recycling”. Zona e përzgjedhur ishte rruga “Luigj Gurakuqi”, pallatet nr. 131 dhe 132. Për disa muaj, banorët e kësaj zone, me mbështetjen e 15 të rinjve vullnetarë, nisën të ndanin mbeturinat në plastikë, letër dhe qelq. U zhvilluan mbi 40 vizita informuese derë më derë, duke bërë që rreth 80% e banorëve të përfshiheshin në këtë iniciativë.

Këto përvoja reale në terren shpeshherë u shoqëruan me vështirësi, siç rrëfen edhe Luisi, një nga të rinjtë vullnetarë të H.A.N.A-s përmes bejtes së krijuar prej tij:
“Avash avash shkum te qendra, kje tu na plas zemra. Edhe 4 muj na kanë metë, n’fun do e çojmë edhe sikur me dekë. Edhe ju njerz, ju mos harroni, plehrat diferenconi, se n’ryshe Evropen me sy s’do e shikoni!”
Megjithatë, entuziazmi i banorëve dhe të rinjve u përplas me realitetin institucional. Bashkia nuk e integroi këtë nismë në kontratën e saj të rregullt me operatorët e pastrimit, duke shkaktuar ndërprerjen e projektit pas disa muajsh. Sipas përfaqësuesve të bashkisë, kjo nismë nuk ishte pjesë e prioriteteve të tyre, duke kthyer situatën në pikën e nisjes.

Qytetarët kërkojnë më shumë vëmendje

Në një bisedë me qytetaren E.P, 40 vjeç., e pyeta se si e vlerësonte menaxhimin aktual të mbetjeve në qytet. Ajo më tha:
“Në qytet situata është deri diku e pranueshme, por në fshatrat përreth gjendja është shumë e rënduar. Koshat janë të paktë dhe rrallë boshatisen në kohë. Do të ishte mirë të vendoseshin gjoba për ata që ndotin dhe të vendosen kamera për ndërgjegjësim.”
Sipas saj, ndarja e mbetjeve në burim është një nevojë urgjente dhe jo luks.

Çfarë thonë specialistët?

Në intervistën time me ambientalistin dhe biologun Jak Gjini, ai theksoi problemet serioze që lidhen me mungesën e menaxhimit korrekt të mbetjeve në Lezhë:
“Menaxhimi aktual i mbetjeve në Lezhë është shumë larg standardeve evropiane. Mosndarja në burim dhe mungesa e një qendre riciklimi janë probleme serioze që kërcënojnë jo vetëm mjedisin tonë, por edhe shëndetin e qytetarëve.”
Ai gjithashtu shprehu shqetësim për prerjen e paligjshme të pyjeve, ndotjen e lumenjve si Drini dhe Ungrej, dhe nevojën urgjente për ndërhyrje institucionale dhe ndërgjegjësim qytetar.

Realiteti institucional: Plane të shkruara, por në praktikë zero riciklim

Në dokumentin zyrtar “Plani i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2021–2025” të Bashkisë Lezhë, parashikohen objektiva si ngritja e një qendre riciklimi dhe nisja e ndarjes në burim të mbetjeve urbane. Por në përgjigjen që mora nga bashkia, qendra e riciklimit është ende në fazë studimi dhe pa afat të qartë realizimi. Në realitet, ndarja në burim nuk ekziston në Lezhë. 18,400 ton mbetje prodhohen çdo vit në qytetin tonë, dhe të gjitha këto përfundojnë pa diferencim në landfillin e Bushatit.

Obligimet ndaj BE-së dhe Kapitulli 27

Shqipëria është vend kandidat për në BE dhe sipas Kapitullit 27 të Acquis Communautaire ka detyrim të sigurojë ndarjen në burim dhe riciklimin e mbetjeve. Direktiva Kuadër e Mbetjeve (2008/98/EC) kërkon që deri në vitin 2025, 55% e mbetjeve urbane të riciklohen. Nëse situata në Lezhë nuk ndryshon, qyteti ynë jo vetëm do të mbetet prapa, por do të dëmtojë edhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Një apel qytetar dhe rinor

Si gazetare qytetare 16-vjeçare, besoj se ndryshimi nis nga veprimet e secilit prej nesh. Përvoja e projektit pilot të H.A.N.A-s dëshmoi se qytetarët janë gati për ndryshim, por duhet mbështetje nga institucionet. Përballë një fenomeni si hedhja e mbeturinave nga dritaret e makinave apo apartamenteve, që vazhdon të jetë i pandëshkuar, duhet të reagojmë të gjithë së bashku. Siç e thotë dhe Keslin, folëse në fushatën tonë sensibilizuese: “Kjo praktikë prapanike duhet të evidentohet dhe refuzohet nga pjesa e shoqërisë që e do qytetin të pastër dhe të civilizuar!”

Ju ftoj që ta merrni personalisht çështjen e ndarjes së mbetjeve. Le të kërkojmë transparencë dhe përgjegjësi nga autoritetet lokale, sepse çdo veprim i vogël, nga ndarja e mbetjeve në shtëpi, te respektimi i hapësirave publike, ndihmon drejt ndërtimit të një qyteti më të pastër dhe një jete më cilësore për të gjithë. Lezha është qyteti ynë, mjedisi është shtëpia jonë. Të gjithë kemi përgjegjësinë dhe fuqinë ta mbrojmë atë, duke nisur që tani!

Burimet e përdorura:
Bashkia Lezhë, Plani i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve (2021–2025)
Komunikim zyrtar me Bashkinë Lezhë
Direktiva Kuadër e Mbetjeve e BE-së (2008/98/EC), Kapitulli 27
Intervistë me Jak Gjinin, ekspert mjedisor
Intervistë me qytetaren E.P.
Projekti pilot për ndarjen e mbetjeve, Qendra Rinore H.A.N.A. (2021–2022)
Më shumë informacion: https://hanacentre.org