Alienum phaedrum torquatos nec eu, vis detraxit periculis ex, nihil expetendis in mei. Mei an pericula euripidis, hinc partem.

Transparenca Digjitale në Bashkinë Lezhë: Platformat që Premtojnë Shumë, Por Japin Pak!

Autore: Mikaela Gazulli, Bianka Prenga, Albana Ndreca, Merisa Lleshi dhe Sineda Mustafaj
Koha e leximit: 5 minuta

Një vështrim kritik mbi faqen zyrtare dhe platformën “Taksat e Mia” tregon se përpjekjet digjitale të Bashkisë Lezhë për transparencë shpesh dështojnë në praktikë. Aksesueshmëria e kufizuar, mungesa e përditësimeve dhe pamundësia për të ndjekur ankesat po pengojnë qytetarët të informohen e të marrin pjesë realisht në vendimmarrje.

Bashkia Lezhë ka prezantuar disa mjete digjitale me synimin për të rritur transparencën dhe llogaridhënien. Ndër to spikasin seksioni “Programi i Transparencës” në faqen zyrtare të bashkisë dhe platforma elektronike “Taksat e Mia” për taksapaguesit. Në letër, këto platforma premtojnë t’u japin qytetarëve mundësinë të ndjekin vendimet financiare e administrative, buxhetet dhe taksat nga kompjuteri apo telefoni. Por sa funksionale janë këto iniciativa në realitet? Një hulumtim i hollësishëm zbulon një sërë problemesh dhe anomalisht që zbehin efektin e tyre. Që në pamje të parë, faqja zyrtare e Bashkisë Lezhë duket e pasur me informacion: publikon vendime të Këshillit Bashkiak sipas viteve, urdhra të kryetarit, njoftime, si dhe dokumente financiare (buxhete, raporte zbatimi etj.). Edhe vetë “Programi i Transparencës” – i mandatuar me ligj – paraqitet si një seksion gjithëpërfshirës me nëntema mbi funksionimin e bashkisë, buxhetin, shërbimet dhe pjesëmarrjen publike. Nga ana tjetër, Drejtoria e Taksave reklamon platformën “Taksat e Mia” si një mundësi moderne që qytetarët të kontrollojnë detyrimet e tyre fiskale online. Megjithatë, pas këtij fasade premtuese, dalin në pah kufizime serioze. Shumë qytetarë ankohen se këto mjete janë të vështira për t’u përdorur dhe nuk i përgjigjen nevojave të tyre. Në vijim analizojmë pikat kryesore ku këto platforma dështojnë të ofrojnë transparencën e premtuar.

Faqja Zyrtare – Informacion i (pak)aksesueshëm
Faqja zyrtare e Bashkisë Lezhë vuan nga probleme strukturore që pengojnë aksesin e gjerë të publikut. Së pari, mungon funksioni i kërkimit brenda faqes, gjë që e bën të vështirë gjetjen e informacionit specifik nga përdoruesit. Qytetari i zakonshëm duhet të shfletojë manualisht menu dhe dokumente voluminoze për të gjetur, p.sh., një vendim këshilli ose një raport financiar të caktuar. Po ashtu, përditësimi i përmbajtjes lë për të dëshiruar – shumë informacion publikohet me vonesë ose mbetet i vjetëruar. Kjo dobësi bie në kundërshtim me vetë parimin e transparencës proaktive, që kërkon përditësim të vazhdueshëm të të dhënave publike.
Së dyti, Bashkia duket se mbështetet më tepër te rrjetet sociale se sa faqen zyrtare për njoftimet e fundit. Është vënë re se shpesh në faqen zyrtare mungojnë njoftime ose vendime të publikuara në Facebook. Kjo praktikë krijon pabarazi në informim, qytetarët që nuk përdorin rrjetet sociale rrezikojnë të mbeten pas, ndërsa faqja zyrtare – kanali zyrtar i informacionit – neglizhohet. Për ironi, vetë Bashkia po nxit një varësi te Facebook-u, në vend që të forcojë burimin zyrtar të informacionit publik. Së treti, ndërfaqja dhe veçoritë teknike të faqes nuk janë menduar për gjithëpërfshirje. Faqja nuk ofron opsione aksesueshmërie për persona me aftësi të kufizuara, si p.sh. leximi me zë (text-to-speech) për shikim të dobët. Gjithashtu, qytetarët nuk kanë mundësi ndërveprimi direkt me faqen – nuk ka mundësi komentesh, pyetjesh apo feedback-u në artikujt e publikuar. Në thelb, është një platformë njëkahëshe ku bashkia flet dhe publiku vetëm lexon, pa kanal komunikimi të integruar. Këto mangësi e kthejnë faqen zyrtare në një depo thjesht pasive dokumentesh, në vend që të jetë një mjet dinamik transparence. Informacioni ekziston, por i prezentuar në mënyrë pak të përdorshme dhe të pakapshme për shumicën e qytetarëve.
Për shembull, “Programi i Transparencës” përmban një mori dokumentesh financiare (PBA, raporte mujore e vjetore të buxhetit, paketa fiskale, etj.), por këto janë dokumente teknike, shpesh me terma dhe formate të vështira për publikun e gjerë. Nuk ka një përmbledhje të thjeshtuar apo sqarime për qytetarët e zakonshëm mbi ato shifra. Edhe pse ekziston një dokument “Buxheti për Qytetarin” 2022-2024 në faqe, duket se për vitet e fundit mungojnë versione të ngjashme të thjeshtuara. Pra, qytetari përballet me tabela Excel dhe PDF voluminoze, pa një shpjegues apo analizë popullore.

“Taksat e Mia”, Platformë Inovative apo Pengesë e Re?
Platforma “Taksat e Mia” e lançuar nga Bashkia Lezhë synon t’u lejojë qytetarëve të kontrollojnë dhe paguajnë online taksat dhe tarifat vendore. Teorikisht, kjo do të duhej të rriste eficiencën dhe transparencën financiare, duke i mundësuar çdo familjeje apo biznesi të shohë detyrimet e veta në kohë reale dhe sesi kontributet e tyre pasqyrohen në buxhetin lokal. Në praktikë, megjithatë, përdorshmëria e kësaj platforme mbetet e ulët. Së pari, aksesimi i “Taksat e Mia” kërkon regjistrim dhe njohuri bazë kompjuterike. Platforma hapet në një faqe të jashtme (hostuar në një server cloud) dhe kërkon krijimin e një profili me kredenciale bashkialezhe.northeurope.cloudapp.azure.com. Shumë qytetarë – veçanërisht të moshuar ose nga zonat rurale – hasin vështirësi që në këtë hap fillestar të hyrjes. Instruksionet në faqen e bashkisë janë minimale: një link “Kontrollo Taksat dhe Tarifat” dhe asgjë më shumë. Nuk ka udhëzues hap-pas-hapi në gjuhë të thjeshtë se si të regjistrohesh, si të përdorësh menynë, si të kryesh pagesa online etj. Përdoruesit duhet ta kuptojnë vetë procedurën, ose të kërkojnë ndihmë te të tjerët. Së dyti, përdorimi nga pajisjet celulare është problematik. Ndryshe nga bashki më të mëdha si Shkodra, e cila ka zhvilluar një aplikacion të dedikuar për smartphone “Taksat e Mia Shkodër”, në Lezhë aksesimi nga telefoni bëhet po përmes faqes web. Ndërfaqja e platformës cloud nuk është e optimizuar plotësisht për ekran të vogël – shumë përdorues raportojnë se faqja ngarkohet ngadalë ose është e vështirë të navigohet nga telefoni. Mungesa e një aplikacioni celular ose e një dizajni “responsive” e kufizon aksesin për qytetarët që zotërojnë vetëm smartphone (duke qenë se një pjesë e popullatës nuk ka kompjuter personal). Në epokën kur shumica e shfletuesve përdorin telefonin për internet, kjo pengesë teknike është domethënëse. Së treti, përdorueshmëria dhe dobia e platformës “Taksat e Mia” vihen në pikëpyetje nga vetë sjellja e institucionit. Drejtoria e Taksave njofton se faturat e taksave gjithsesi do të vazhdojnë të dërgohen fizikisht tek qytetarët çdo vit, pavarësisht ekzistencës së portalit online. Kjo do të thotë se edhe vetë bashkia e ka të qartë që shumica e kontribuesve nuk po e përdorin dot sistemin e ri – ndaj për siguri u çon faturat si më parë, në letër. Një platformë digjitale që nuk arrin të zëvendësojë as pjesërisht procedurat tradicionale tregon qartë se adoptimi i saj nga publiku është i ulët. Arsyet lidhen pikërisht me aksesin e kufizuar: shumë njerëz ose nuk janë në dijeni fare të ekzistencës së portalit, ose nuk dinë/duan ta përdorin dhe preferojnë të presin faturën në derë.

Problemet Kryesore që Pengojnë Informimin Efektiv
Nga shqyrtimi i këtyre platformave, dalin në pah disa probleme dhe anomali konkrete që kufizojnë efektin e tyre tek komuniteti lezhjan. Më poshtë përmbledhim pikat kyçe.
– Ndërfaqe jomiqësore dhe mungesë funksionesh bazë. Faqja zyrtare s’ka as motor kërkimi e as opsione aksesueshmërie për persona me aftësi të kufizuara, duke e bërë navigimin dhe leximin të vështirë. Po ashtu, “Taksat e Mia” nuk ofron një eksperiencë të lehtë përdorimi në pajisje celulare, për mungesë të një aplikacioni apo dizajni të dedikuar telefonik (smartphone).
– Përmbajtje e paplotë ose e papërditësuar. Edhe pse Bashkia publikon shumë dokumente zyrtare, mungojnë përditësime në kohë reale dhe formate të kuptueshme për publikun. Informacione të rëndësishme (p.sh. njoftime vendimesh) gjenden vetëm në Facebook dhe jo në web, ndërsa seksioni “Programi i Transparencës” mbushet me dokumente teknike pa shpjegime popullore. Kjo e bën të vështirë për qytetarët të ndjekin realisht vendimet financiare dhe administrative, pasi u duhet të përballen me zhargon burokratik e tabela të thata.
– Mungesë gjurmueshmërie dhe llogaridhënieje për ankesat/pyetjet. De juro, Bashkia duhet të mbajë një Regjistër të Kërkesave dhe Përgjigjeve (pyetje të drejtuara nga publiku dhe përgjigjet e institucionit). De facto, në faqen zyrtare kjo hapësirë është krejt e pazbatuar. Klikimi te “Regjistri i Kërkesave dhe Përgjigjeve” thjesht të çon në një formular ankese online, por askund nuk publikohet se çfarë është pyetur apo si është përgjigjur bashkia.
– Qytetari nuk ka asnjë mënyrë të ndjekë ecurinë e ankesës së vet ose të shohë nëse bashkia po adreson problemet e ngritura nga komuniteti. Një sistem i tillë pa transparencë të procesit kthen çdo kërkesë në komunikim privat mes individit dhe zyrës, duke minuar llogaridhënien publike.
– Vështirësi në përdorim për shkak të mungesës së edukimit digjital: Realiteti është që një pjesë e madhe e komunitetit – veçanërisht gjeneratat më të vjetra – nuk kanë aftësitë apo besimin për t’u angazhuar në platformat digjitale. Në një sondazh lokal, më pak se 10% e të rinjve gjimnazistë në Lezhë deklaruan se ishin të informuar për mekanizmat e pjesëmarrjes online; mund të imagjinohet se përqindja mes moshave të rritura është edhe më e ulët. Kjo tregon një hendek serioz informimi dhe aftësish, ku qytetarët nuk janë trajnuar apo motivuar të përdorin veglat digjitale që ofron bashkia.
– Përpjekje sipërfaqësore. Bashkia Lezhë duket se i ka përmbushur detyrimet e veta ligjore duke ngritur këto platforma, por nuk ka shkuar përtej minimumit. Mungojnë fushata vetëdijësuese ose trajnime për publikun mbi përdorimin e tyre. Për shembull, inaugurimi i portalit “Taksat e Mia” nuk u shoqërua me udhëzime të gjera publike në media lokale se si funksionon sistemi. Po ashtu, feedback-u i marrë nga qytetarët shpesh nuk kthehet në veprim. Kur të rinjtë apo aktorë të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime (p.sh. mungesa e search-it në faqe, nevoja për përditësim informacioni), deri më tani nuk ka reagim a përmirësim të dukshëm nga ana e bashkisë. Ky indiferentizëm institucional e forcon perceptimin se transparenca digjitale po trajtohet vetëm si detyrim “në letra”, jo si një mjet i mirëfilltë komunikimi me qytetarin.

Pasojat – Qytetarë të Painformuar, Pjesëmarrje e Dobësuar
Kur platformat zyrtare të transparencës nuk funksionojnë si duhet, pasojat ndihen direkt në jetën demokratike lokale. Qytetarët e Lezhës sot e kanë të vështirë të ndjekin se si mblidhen dhe shpenzohen taksat e tyre, ose si merren vendimet që prekin komunitetin. Mungesa e informacionit të qartë ul interesin dhe besimin e publikut tek institucionet. Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja në dëgjesat publike apo konsultimet e bashkisë është tejet e ulët – jo sepse komuniteti është apatik, por sepse shumë prej tyre nuk janë të informuar që këto procese po ndodhin. Kur njoftimet publike nuk arrijnë te njerëzit në kohë apo në formë të kuptueshme, zëri i qytetarit normalisht do të mungojë në tryezat e vendimmarrjes. Nga ana tjetër, mungesa e gjurmueshmërisë në ankesat apo kërkesat e dërguara i bën qytetarët skeptikë mbi efektivitetin e komunikimit online. P.sh., nëse dikush raporton një problem urbanistik nëpërmjet formularit të ankesës, ai/ajo nuk di asgjë se çfarë u bë me atë ankesë – a e lexoi kush, a u zgjidh problemi, a mori ndonjë përgjigje? Kjo dekurajon qytetarët që herës tjetër të mos shqetësohen fare të kontaktojnë bashkinë, duke krijuar një hendek edhe më të madh midis pushtetit vendor dhe komunitetit.

Si Mund të Përmirësohet Situata?

Dështimet e deritanishme nuk do të thotë se mjetet digjitale duhen hequr dorë – përkundrazi, ato duhen rregulluar e forcuar që t’u shërbejnë me të vërtetë qytetarëve. Disa hapa potencialë mund të ishin:
Përmirësimi teknik i faqeve dhe platformave – Integrimi i një opsioni kërkimi në faqen zyrtare; shtimi i opsioneve “aksesueshmëri” (p.sh. zmadhim fonti, lexues ekran) për personat me nevoja të veçanta; zhvillimi i një aplikacioni ose versioni miqësor për telefon për “Taksat e Mia” (duke mësuar nga rasti i Shkodrës). Këto do ta bënin informacionin më lehtë të gjendshëm dhe përdorshëm për publikun.
Përditësim i rregullt dhe komunikim i shumëfishtë – Çdo vendim i ri, njoftim apo raport financiar duhet të postohet paralelisht si në faqen zyrtare, ashtu edhe në rrjetet sociale, për të siguruar shtrirje maksimale. Faqja zyrtare mund të ketë një seksion “Lajmet e Fundit” ku pasqyrohen të gjitha njoftimet që dalin në Facebook, në mënyrë që askush të mos mbetet i painformuar pavarësisht platformës që përdor.

Transparencë dhe ndjekje për kërkesat e qytetarëve – Regjistri online i kërkesave duhet të publikohet me përditësime periodike, duke listuar anonimisht pyetjet/ankesat dhe përgjigjet zyrtare. Kjo jo vetëm rrit llogaridhënien (qytetarët shohin që bashkia po u përgjigjet problemeve), por shërben edhe si bazë e dobishme e dijes – dikush mund të gjejë zgjidhjen e një problemi të ngjashëm të publikuar aty, pa pasur nevojë të bëjë të njëjtën pyetje.

Edukimi digjital i komunitetit – Bashkia dhe organizatat lokale duhet të investojnë në trajnime të shkurtra ose fushata informuese mbi përdorimin e këtyre platformave. Për shembull, mund të organizohen takime në lagje ose në shkolla mbi “Si të përdorim faqen e bashkisë dhe portalin e taksave”. Një qytetar i informuar është një qytetar i fuqizuar – sidomos të rinjtë mund të bëhen ambasadorë të mirë, duke i ndihmuar familjarët e tyre më të moshuar të lundrojnë në internet.

Angazhim i sinqertë nga ana e Bashkisë – Mbi të gjitha, nevojitet vullneti politik dhe administrativ për ta marrë seriozisht transparencën digjitale. Kjo do të thotë të mos shihet thjesht si detyrim ligjor i “hedhjes së dokumenteve online”, por si kanal komunikimi aktiv me qytetarët. Zyrtarët duhet t’i kushtojnë vëmendje feedback-ut: nëse publiku sugjeron përmirësime (dhe disa sugjerime tanimë janë të qarta, si p.sh. krijimi i një sistemi gjurmimi për ankesat apo thjeshtimi i gjuhës së dokumenteve), atëherë këto ndryshime duhen adresuar. Deri tani, mjetet ekzistuese kanë qenë një rrugë njëkalimshe; për t’i dhënë kuptim transparencës, bashkia duhet të dëgjojë dhe të përgjigjet.

Rasti i Lezhës tregon se transparenca digjitale nuk arrihet dot vetëm duke krijuar platforma në letër, por kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme dhe qasje të orientuar tek përdoruesi. Pa dyshim, vendosja e dokumenteve publike online dhe krijimi i platformave si “Taksat e Mia” janë hapa pozitivë drejt modernizimit. Por kur këto mekanizma nuk janë të aksesueshëm, të kuptueshëm apo të besueshëm për qytetarët, efekti i tyre zhduket. Transparenca nuk matet me numrin e PDF-ëve të ngarkuar në faqe, por me sa njerëz arrijnë realisht të informohen dhe të ndërveprojnë falë atyre të dhënave. Për një qeverisje të mirë lokale në Lezhë, është thelbësore që zyrtarët vendorë të mos kënaqen me arritjen minimale (plotësimin e kërkesave ligjore), por të synojnë që informacioni dhe llogaridhënia të jenë të prekshme për komunitetin. Kjo do të thotë të mbyllin hendekun midis “transparent në teori” dhe “transparent në praktikë”. Nëse platformat ekzistuese rregullohen dhe fuqizohen, qytetarët lezhjanë – veçanërisht të rinjtë e interesuar për qeverisje të mirë dhe grupet aktive lokale – do të mund të angazhohen më shumë në vendimmarrje. Në të kundërt, nëse vazhdohet me të njëjtën gjendje, rrezikojmë që “transparenca digjitale” të mbetet thjesht një slogan, ndërsa vendimet dhe paratë publike vijojnë të mos ndiqen dot nga syri i publikut. Për një demokraci lokale të shëndetshme, Lezha ka nevojë që premtimet për transparencë t’i kthejë në realitet të përditshëm për qytetarët e saj.