Alienum phaedrum torquatos nec eu, vis detraxit periculis ex, nihil expetendis in mei. Mei an pericula euripidis, hinc partem.

Pjesëmarrja e Publikut në Vendimmarrjen e Bashkisë Lezhë: Sa dëgjohet zëri ynë?

Autorë: Anila Marku dhe Leandra Deda
Koha e leximit: 6 minuta

Në një kohë kur transparenca dhe llogaridhënia janë thelbësore për një qeverisje demokratike, ne si nxënëse të gjimnazit “Hydajet Lezha” kemi ndërmarrë një analizë mbi mënyrën se si qytetarët përfshihen në vendimmarrjen e Bashkisë Lezhë. Ky shkrim është pjesë e nismës “Itinerari i Parasë Publike” në bashkëpunim me Qendrën Rinore H.A.N.A.
Përmes analizës së vendimeve të Këshillit Bashkiak për vitin 2024, shqyrtimit të faqes zyrtare të Bashkisë dhe një sondazhi me 63 nxënës të moshës 15–18 vjeç, synuam të kuptojmë sa hapësirë reale ka për pjesëmarrje qytetare. Gjithashtu, kemi dërguar pyetje zyrtare për të marrë informacion nga Bashkia mbi praktikat e konsultimeve publike.

Çfarë kuptojmë me pjesëmarrje publike?
Pjesëmarrja e publikut është e drejtë e garantuar me ligj që i lejon qytetarët të kontribuojnë në proceset e vendimmarrjes që ndikojnë në jetën e tyre. Në Bashkinë Lezhë, kjo realizohet përmes transmetimeve live të mbledhjeve të këshillit bashkiak, njoftimeve në faqen zyrtare dhe përmes publikimeve në rrjete sociale. Por sa efektive janë këto mekanizma në praktikë?

Mungesa e përfaqësimit të pavarur në këshill
Këshilli Bashkiak i Lezhës përbëhet nga 41 anëtarë, të zgjedhur nga mbi 13 parti politike. Asnjë nga këta anëtarë nuk është i pavarur, çka nënkupton mungesë të përfaqësimit jashtë linjave partiake. Sipas të dhënave të KQZ-së për zgjedhjet e vitit 2023, të gjitha mandatet janë përfaqësuar nga struktura partiake, duke lënë jashtë çdo zë qytetar të pavarur.

Sa funksionojnë mekanizmat ekzistues?
Nga 13 mbledhje të zhvilluara gjatë vitit 2024, 12 janë transmetuar live, por me probleme të shpeshta teknike si ndërprerje, zë i dobët dhe mungesë arkivimi cilësor. Njoftimet për mbledhjet publikohen 5 ditë përpara, por pjesëmarrja fizike dhe interaktive është minimale.
Organizata lokale H.A.N.A ka hasur pengesa teknike në përpjekjet për të ndjekur këto mbledhje, duke ngritur shqetësime nëse transparenca po zbatohet si formalitet apo si një mjet real për përfshirje qytetare.

Vështirësi në akses dhe informim
Faqja zyrtare e Bashkisë Lezhë, megjithëse e dizenjuar mirë, ka mungesa funksionale: nuk ka opsion kërkimi, përditësimi i informacionit është i rrallë dhe mungojnë veçori të aksesueshme për persona me aftësi të kufizuara. Faqja në Facebook është më aktive, por kjo krijon pabarazi për qytetarët që nuk përdorin rrjete sociale.
Në sondazhin tonë me 63 gjimnazistë, më pak se 10% ishin të informuar mbi mekanizmat e pjesëmarrjes. Edhe më shqetësues ishte fakti që shumica e prindërve të tyre nuk kishin marrë pjesë asnjëherë në dëgjesa publike. Kjo tregon se pjesëmarrja qytetare është ende shumë larg nivelit të dëshiruar.

Kuadri ligjor vs. realiteti në terren
Sipas raportit të Komisionit Evropian për vitin 2024, pjesëmarrja e publikut është një indikator kyç për vlerësimin e qeverisjes së mirë. Megjithëse ligji shqiptar garanton konsultimin publik, vetëm 30% e bashkive e zbatojnë në mënyrë të plotë (sipas Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim). Raportime nga OSBE, Komiteti i Helsinkit dhe Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit evidentojnë mungesë transparence dhe përfshirjeje në shumë bashki të vendit.
Sa mbështet realisht Bashkia Lezhë konsultimin publik?
Në përgjigje të pyetjeve tona, Bashkia raportoi një buxhet prej vetëm 73,000 lekësh për konsultime publike në vitin 2025.

Për më tepër, nuk ofroi të dhëna konkrete mbi pjesëmarrjen, ndikimin e rekomandimeve apo rezultatet e dëgjesave. Kjo lë shije formale të angazhimit dhe i ngjason më shumë një detyrimi administrativ sesa një përpjekjeje për bashkëqeverisje të mirëfilltë.
Rekomandime për përmirësim
✓ Publikimi i të gjitha vendimeve të Këshillit Bashkiak në kohë reale dhe në mënyrë të aksesueshme.
✓ Krijimi i një regjistri të hapur të konsultimeve publike me rezultatet dhe ndikimin e tyre në vendime.
✓ Organizimi i dëgjesave të personalizuara për grupe vulnerabël (të moshuar, persona me aftësi të kufizuara, banorë ruralë).
✓ Trajnimi i administratës për të rritur cilësinë e proceseve të përfshirjes.
✓ Përdorimi i platformave interaktive për të inkurajuar të rinjtë dhe qytetarët digjitalisht aktivë.

Nga formaliteti në pjesëmarrje të vërtetë
Bashkia Lezhë ka bërë përpjekje për të krijuar një sistem të hapur dhe të informuar, por mbetet shumë për të bërë. Pjesëmarrja publike nuk është vetëm një kusht i ligjit, por një bazë për besimin qytetar. Të rinjtë janë të gatshëm të përfshihen – nëse u jepet mundësia.
Kërkohet një qasje më gjithëpërfshirëse, më transparente dhe më interaktive, ku qytetarët të mos shihen si spektatorë, por si bashkëkrijues të politikave që i prekin drejtpërdrejt.
Nëse duam një Lezhë të mirëqeverisur, nuk mjafton të flasim për pjesëmarrje – duhet ta dëgjojmë, ta dokumentojmë dhe mbi të gjitha, ta zbatojmë.