
Autor: Pavlo Luca
Koha e leximit: 5 min
Shëngjini, perla e rivierës veriore të Shqipërisë, ka njohur vitet e fundit një bum turistik të pazakontë. Plazhet e mrekullueshme si Rana e Hedhun, laguna Kune-Vain dhe bregdeti i Tales janë promovuar gjerësisht si destinacione magjepsëse, me ujëra të pastra, rërë “kurative” dhe çmime konkuruese. Artikujt entuziastë në mediat ndërkombëtare kanë nxitur miliona turistë të zbulojnë këtë “sekret të fshehur” të Adriatikut. Vetëm gjatë sezonit veror, Bashkia Lezhë, ku bën pjesë Shëngjini, ka pritur mbi 1.3 milionë turistë – rreth 20% më shumë se vitin e kaluar. Për kryetarin e bashkisë, ky sezon u konsiderua një sukses i madh, me pushues nga Kosova, Franca, Britania e Madhe, Italia e shumë vende të tjera që vërshojnë drejt Shëngjinit.
Por për ne si qendër rinore, është e pamundur të mos vëmë re se me të mbaruar shkolla në Qershor, qyteti boshatiset nga të rinjtë. Nuk i sheh më në rrugët e Lezhës, në lagje apo në vendet e zakonshme. Shumica janë në Shëngjin, Tale, Kune-Vain apo edhe më larg, duke punuar në hotele, restorante dhe lokale, për të mbledhur disa para gjatë verës. Kjo është bërë pjesë “normale” e verës shqiptare në Lezhë. Por pas këtij normaliteti fshihet një realitet i ashpër dhe i heshtur; kushte pune pa dinjitet, pa kontrata dhe me shfrytëzim që nuk do të duhej të ishte pjesë e asnjë shoqërie moderne.
Gjatë sezonit veror, industria turistike e Lezhës mbështetet fuqimisht tek punëtorët sezonalë të rinj, të cilët punojnë si kamarierë, banakierë, pastrues dhe staf hotelesh. Analizat zyrtare tregojnë se sektori i turizmit në Shqipëri punëson rreth 15,500 punëtorë sezonalë çdo verë (maj–shtator), me një rritje prej 20–45% të punësimeve gjatë këtyre muajve. Megjithatë, një pjesë e madhe e këtij punësimi rinor është informal ose i paregjistruar. Shumë adoleshentë dhe të rinj punojnë turne të gjata që shpesh kalojnë 10–12 orë në ditë. Një punë tipike verore si kamarier mund të zgjasë nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës, dhe shpeshherë paguhet shumë poshtë pagës minimale.
“Një minimum prej 56 orësh pune në javë. Ditë pushimi? Nuk diskutohet. Sigurime shoqërore? ‘A je i çmendur??’ Rroga? ‘40,000 ALL n’daç merre, n’daç lere. Rrogat dalin më datën 10 të çdo muaji. Po ta mbajti ta lësh punën, nuk do i shohësh minimumi ato 10 ditë rrogë’,” ndan Kevin, 17 vjeç, një nga të rinjtë e punësuar më parë në sezonin veror në Lezhë.
Këta punonjës sezonalë detyrohen të zgjohen që me natë, rreth orës 5:30 të mëngjesit, për të qenë gati në punë sipas urdhrave në orën 7. Stacioni i autobusëve Lezhë–Shëngjin, në dalje të qytetit, në atë orar është i stërmbushur me të rinj e të reja, gra e burra, që pavarësisht moshës apo problemeve shëndetësore, duhet të ngrihen, sepse jeta nuk pret, nuk ka kohë për ta. Niset autobusi i orës 06:00, i mbushur plot, me trupa të ngjitur e duar të ngulura thellë në ndonjë cep për t’u mbajtur, ndërsa djersa kthehet në një pellg vuajtjesh të përditshme. ‘Zoti na don,’ dëgjohen të thonë, ‘sepse të paktën në këtë orar nuk ka trafik.’ Kur mbërrijnë në stacion, dyert hapen me vështirësi dhe shpirtrat që vënë në punë gjithë bizneset dhe gjallërojnë vijën bregdetare të Shëngjinit turren, pasi kanë mbetur pak minuta nga ora 07:00. Veshin kostumet përkatëse dhe secili turret të nisë punën e vet. Pushuesit e parë shihen në horizont, të lumtur e të relaksuar, pas një gjumi përrallor – fryt i duarve të arta të grave që punojnë pa u lodhur për të pasur dhomat e pastra, që turistët thjesht të ndihen si mbretër. Kamarierët fillojnë shërbimin pa e parë orën, vetëm që të jenë sa më produktivë dhe sigurisht të mos hanë ndonjë të bërtitur nga pronari. Iku dita, të sfilitur nga lodhja e të mbuluar nga djersa, kamarierë e banakiere nisin të bëhen gati për të lënë turnin, me shpresën e madhe se sot nuk do t’i detyrojnë të rrinë më gjatë. Por një zë i trashë dëgjohet në sfond; u kërkon të rrinë edhe dy orë të tjera, sepse autobusi i turnit të radhës po vonohej – një tjetër pretekst për t’i mbajtur më gjatë. Kështu kalon dhe sezoni i famshëm, me orarin e zgjatur që askush nuk ta paguan, jo më siç propagandohet që orët shtesë paguhen disa fish më shumë. Kjo le të mbetet një ëndërr e mbyllur në sirtarët e punonjësve sezonalë.
Këto punë bëhen pa kontrata të rregullta ose me kontrata “gjysmake” që deklarojnë orë të rreme. Inspektorati Shtetëror i Punës ka theksuar se punësimi informal është shkelja më e përhapur. Mungesa e kontratave i lë të rinjtë pa asnjë mbrojtje ligjore apo sigurime shoqërore, duke hapur rrugë për abuzime si mos pagesa e orëve shtesë dhe mohimi i pushimeve javore.
Disa nga shkeljet më të zakonshme janë mos pagesa e orëve shtesë, mungesa e pushimit javor, mungesa e kontratës së shkruar dhe mohimi i të drejtave të festave zyrtare. Është praktikë e zakonshme që të rinjtë të punojnë 7 ditë në javë gjatë pikut turistik, të paguhen me një shumë fikse mujore pa kompensim shtesë për orët jashtë orarit apo fundjavave. Kjo bie ndesh me Kodin e Punës të Shqipërisë, i cili garanton pagesë shtesë për orët jashtë orarit, pushim javor të paguar dhe pushime vjetore, dhe me standardet e BE-së.
“Që 16 vjeç, më është dashur të bëj jo vetëm punën për të cilën kisha ardhur, por edhe të punoja në kuzhinë, të pastroja gjithë vendin, të menaxhoja një sallë me 300 veta me vetëm 2–3 persona staf. E gjithë kjo me një pagë prej 40.000 ALL, e cila më dukej si fyerje kur e krahasoja me punën kolosale që më ngarkonin,” rrëfen Lueda, e punësuar pranë një subjekti privat në sezonin veror 2024.
Shkeljet e sigurisë dhe shëndetit në punë janë një tjetër shqetësim serioz. Të rinjtë punojnë në kuzhina, mirëmbajtje apo ndihmë punimesh pa trajnim të duhur apo pajisje mbrojtëse, duke mbajtur pesha të rënda ose duke përdorur kimikate pastrimi pa mbrojtje. Lodhja nga orët e gjata rrit rrezikun e aksidenteve. Shumë biznese të vogla sezonale operojnë informalisht, duke e bërë të pamundur inspektimin dhe zbatimin e rregullave të sigurisë.
“Si 15 vjeçare, ka qenë një eksperiencë sado e veçantë edhe e lodhshme. Për mua ishte puna e parë dhe mendoja se 9-orëshi (që pastaj u kthye 11-12 orëshi) që më kërkohej ishte normalja, pa përmendur të bërtiturat dhe fluksin e sezonit. Ama duke biseduar me moshatarët kuptova që ky ishte realiteti për ne, që për të ndihmuar familjet tona ose për të kursyer para për shkollën, detyrohemi që të vegjël të nisim punën që supozohet ta bëjë një 20 vjeçar. Ngarkesa fizike dhe emocionale të shteron plotësisht,” thotë Sandra, e punësuar sezonin e kaluar.
Megjithëse punët verore u sigurojnë të rinjve disa të ardhura, ato shpesh ndikojnë negativisht tek arsimi dhe shëndeti mendor i tyre. Orët e gjata i lodhin dhe u lënë pak kohë për studim, shoqëri apo zhvillim personal. Për disa, puna sezonale bëhet “kurth”, mësohen me një pagë modeste dhe lënë shkollën për të punuar me kohë të plotë. Ky fenomen është ndër shkaqet e rënies drastike të numrit të nxënësve të arsimit të mesëm në Lezhë nga 1,793 nxënës në 2020, në vetëm 1,319 në 2024, një ulje prej 26%.
Psikologët paralajmërojnë se kjo situatë shkakton stres, ankth dhe ulje të vetëvlerësimit tek të rinjtë, të cilët ndihen të shfrytëzuar dhe pa vlerë në vendin e punës. Për më tepër, përjetimi i padrejtësive në moshë të re i bën ata cinikë ndaj punës dhe shoqërisë, duke ushqyer valën e emigracionit.
Ndërkohë, në zyrat e bashkisë dhe institucioneve shtetërore, dita nis ndryshe. Punonjësit zgjohen rreth orës 7 në mëngjes, në rastin më të keq, ose edhe në 8–9, përjashtimisht. Ata shkojnë në punë të veshur pastër, ulen në zyra me kondicioner dhe pinë kafe para se të fillojnë detyrat. Fundjavën e kanë të garantuar, bashkë me pushimet vjetore, lejet e paguara dhe shpesh udhëtimet jashtë vendit për “trajnime” e projekte. Është një realitet krejt tjetër nga ai i qindra të rinjve që çdo ditë zgjohen para agimit, udhëtojnë në këmbë apo në autobusë të mbushur tej mase, dhe punojnë deri në lodhje ekstreme, pa kontratë, pa sigurime dhe shpesh pa dinjitet. Ky kontrast i thellë, ku disa jetojnë privilegjin institucional dhe të tjerët mbajnë mbi shpinë ekonominë e turizmit me të gjitha sakrificat, është dëshmi e padrejtësisë së heshtur që Lezha e sotme mban brenda vetes.
Ligjet ekzistojnë, por zbatimi është pothuajse inekzistent. Punëtorët e rinj sezonalë vazhdojnë të mbahen si “krah pune i lirë”, pa dinjitet dhe të drejta të plota. Ky realitet dëmton të ardhmen e tyre dhe minon moralin shoqëror të komunitetit tonë.
Prandaj, i bëjmë thirrje Bashkisë Lezhë dhe Zyrës së Punës (AKPA) në Lezhë që të përqendrohen edhe tek e vërteta jo aq e ëmbël, jo vetëm tek automotivimi. Të mos anatemojnë apo etiketojnë si “armiq” ata që guxojnë të flasin për anët e errëta të turizmit, por të marrin masa për zbatimin e ligjit. Orari shtesë duhet të paguhet sipas përqindjes së përcaktuar dhe të garantohen pushimet javore. Kjo nuk është vetëm kërkesë ligjore, por një domosdoshmëri humane, për shkak të pasojave të rënda psikologjike dhe fizike që këto praktika çnjerëzore sjellin.
Një thirrje zemre shkon edhe për pronarët dhe menaxherët; vlerësojini punonjësit tuaj, jepuni hakun që u takon, mos i shfrytëzoni përtej mundësive dhe ktheni dinjitetin e humbur të punëtorit sezonal shqiptar. Siç kanë thënë të parët tanë: “Jepi hakun punëtorit pa iu tharë djersa.” Sot, kjo nuk është vetëm një shprehje e bukur, por një nevojë urgjente për të ndalur shfrytëzimin dhe rikthyer besimin.
Të rinjtë nuk refuzojnë punën. Ata refuzojnë padrejtësinë, shfrytëzimin dhe trajtimin çnjerëzor. Ata nuk janë dembelë; ata janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga një sistem që nuk i mbron. Dhe kjo është arsyeja pse sot mungojnë punonjësit sezonalë, pse vendi po përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore.
Tani është momenti të reflektojmë: a ia vlen më shumë të mos paguash drejt dhe me dinjitet, apo të humbasësh njerëzit që mbajnë në këmbë turizmin shqiptar? Sepse, përderisa ata që e ushqejnë turizmin trajtohen si skllevër, nuk mund të presim që Shqipëria të ndërtojë një të ardhme të ndritur në këtë sektor.
Vetëm duke qenë të drejtë dhe njerëzorë, turizmi elitar mund të ketë një themel të fortë.