Alienum phaedrum torquatos nec eu, vis detraxit periculis ex, nihil expetendis in mei. Mei an pericula euripidis, hinc partem.

Lumi i Ungrejt zëvendëson mungesën e kontejnerëve

Në një ditë të bukur pranvere, burrë e grua dalin në derë të shtëpisë, sapo shohin që kanë ardhur vizitorë të rinj. Dera kryesore është disa metra larg shtëpisë së trajtuar me shumë kujdes, teksa degët e rrushit përdridhen nëpër tela që mbulojnë oborrin e çatinë e shtëpisë së tyre.

I moshuari dhe bashkëshortja dalin për të na pritur te dera. Sapo hymë brenda, e zonja e shtëpisë kujdeset të na qerasë e të na njohë më shumë. Në sfond mbizotëron qetësia e një zonë e cila është drejt shpopullimit.

Ajo çfarë më ka çuar në Ungrej është dëshira dhe nevoja për t’i dhënë zë një komuniteti i cili prej dekadash demokracie është harruar nga të gjitha qeveritë e ndërruara. Bukuria e zonës është mahnitëse! Me një shumëllojshmëri ngjyrash pranvere, Ungrej duket një vend ideal për të jetuar. Çifti i moshuar disi e pohon dhe e mohon këtë gjë. Bukuritë e natyrës nuk mjaftojnë për të jetuar mirë.

Sikur një herë në javë të jetë makina që të na mbledhë mbeturinat”, – shpreh dëshirën e zonja e shtëpisë, teksa e pyes rreth menaxhimit të mbetjeve. Ajo është një ndër dhjetëra familje që jetojnë në Njësinë Administrative Ungrej, e që, në mungesë të shërbimit, detyrohet të kryejë vetë proçesin e menaxhimit, çka nënkupton shpesh hedhjen e mbeturinave në lumin që u rrjedh pak metra larg shtëpisë.

Nuk asht koncepti i makinës, oj gru”, – ia pret i shoqi i cili mendon se duhet një zgjidhje më e zgjuar. Bashkëpunim shtet – privat, në mënyrë që mbetjet të rimerren nga firmat, në vend që të mbesin stok anës lumit.

Atëherë; fshatari ose qytetari e merr atë shishe, e në qoftë se birra ban, për shembull, 60 lekë, ajo shishe kushton 20 lekë. Sikur të vihet kushti që ambalazhi të ketë një çmim, atëherë qëndron edhe e drejta e riciklimit”, – shpjegon i moshuari.

Biznesi s’ka ku i çon se s’ja merr kush. Ai do me shit sa më shumë birra dhe me i tretë shishet”, – vijon më tej zotëria.

Në lumë mor!”, – i kundërpërgjigjet gruaja, e cila plotëson fjalinë e bashkëshortit. Vetë ajo ka rutinën e saj të përjavshme sa i përket mbeturinave. Mbetjet organike ua hedh kafshëve, ndërsa të tjerat ajo i dërgon me karrocë afër lumit, e më pas i djeg.

Banorët herë flasin me superlativa për lumin që u rrjedh pak metra larg shtëpisë, e herë me tone të zhgënjyera. 

Ky quhet Përroi i Shtegtarit, pra, Shkodra me Kosovën, ose Oroshin, qendrën e Mirditës, edhe Lezha, Shëngjini me qendrën e Mirditës, takoheshin nëpërmjet këtyre dy rrugëve. Kështu që i ka mbet Prroi i Shtegtarit sepse këtu shtegtonin për mijëra vjet njerëz”, – kallëzon me krenari burri i moshuar.

Tashmë, Përroi i Shtegtarit ka tjetër funksion.

Flas për vetë, unë në verë marr dhe i djeg në breg të lumit krejt letra kallcuk, marr karrocën, i fus në karrocë dhe i djeg në breg të lumit”, – rrëfen e moshuara.

Si ajo procedojnë edhe shumë banorë të kësaj zone. Në qendër të Njësisë Administrative Ungrej, së fundmi janë vendosur disa kosha afër institucioneve arsimore dhe atyre publike. Përtej institucioneve, pjesa tjetër e komunitetit vijon të jetë e pambuluar me shërbim çka bën që banorët përreth të kenë të njëjtin cikël si çifti i të moshuarve: konsum – djegie – hedhje anës lumit.

Pak më tutje koshave shikohen me sy të lira shenja zjarri, çka tregon se djegia është një praktikë e përhapur.

Mungesa e infrastrukturës është një ndër arsyetimet pse kjo zonë është tërësisht e përjashtuar nga ky shërbim, ndonëse prej vitesh paguajnë taksa. Lënia e papërfunduar e rrugës Lezhë – Ungre, e ndaluar në fshatin Kalivaç bën që makineritë për ofrimin e shërbimit të pastrimit të mos mbërrijnë në Njësinë Administrative Ungrej, që përbëhet nga nëntë fshatra, e që sipas censit të fundit, kishte 1587 banorë.

Sipas Planit të Menaxhuar të Integruar të Mbetjeve të ri të hartuar, deri në vitin 2025 Bashkia Lezhë do të mbulojë me shërbim 97% të territorit të saj.

Dramë e zonës së Ungrejt, rrëfyer përmes banorëve

Drita* prej 50 vitesh jeton në atë fshat, që tashmë thuajse të gjithë e kanë braktisur. Ajo dëshmon dramën sociale të asaj zonë, e cila përngjan me dramën e secilit fshat e qytet në Shqipëri. Dikur, kujton e moshuara, Ungreji gjallërohej nga fëmijët, të cilët ikën një e nga një për të lënë pas e të vetmuar të moshuarit.

Investimi për zhvillimin e rrugës që do të mund të lidhte Ungrejn me qytetin u ndërpre në mes, çka reflektohet dhe në mungesa të tjera, siç është menaxhimi i mbetjeve. 

Pasha zotën të jetë rruga e bamë, edhe tre pjesë të Ungrejve i ke këtu. E bajmë jetë normale me sho-shoqin. Unë veç me folë me pula, me derra, me lopë. Ju zoti ju rujt që erdhët! Hiqi vizë bijë jetës sonë”, – thotë e pikëlluar Drita, e cila po të kishte gjë në dorë do të bënte çmos për a ndryshuar situatën.

Unë mos e gëzosha jetën, për çdo muj e la pensionin, 100 mijë lekë e kam, 1 milion e la për një vjet e për dy pa e marrë, e ha bukë e kripë e pasha zotën, veç të vijë rruga këtu. Është gjynah me ia kthy shpinën këtij farë vend”, – përfundon e moshuara, e cila, njëjtë si banorët e tjerë, plehrat bashkë me kujtimet ia “beson” lumit.

Ah, oh zot o zot, si u lajshin fëmija! Ishte pasqyrë lumi atëherë. Sot mozo ma mirë! Se dun ma lumin se ka humb ndërgjegjja. S’ka ma ndërgjegje. Qeshtu o bija ime”.

*Emri është ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin

Ky artikull është realizuar nga Qendra Rinore H.A.N.A në kuadër të ndërhyrjes “Rini, Riciklim, Respekt – Ekosistemi i Dashurisë për Mjedisin” dhe me mbështetjen financiare të Leviz Albania.

Artikulli është shkruar nga gazetarja Entenela Ndrevataj.