Alienum phaedrum torquatos nec eu, vis detraxit periculis ex, nihil expetendis in mei. Mei an pericula euripidis, hinc partem.

Debati i Qendrave për Azil-kërkuesit në Lezhë; Refleksione dhe më shumë!

Nga Besmira Lekaj, Drejtuese Ekzekutive, Qendra Rinore H.A.N.A

Nëntor 29, 2023

Në fillim të muajit (6 Nëntor), Kryeministri i vendit tonë Edi Rama zuri në befasi të gjithë duke nënshkruar një marrëveshje protokollare me një shtet të BE-së për ngritjen e qendrave të pritjes së azil-kërkuesve të nisur drejt Italisë në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës. Lajmi u transmetua fillimisht nga Reuters në 7 Nëntor e më pas ju përcoll edhe audiencave të 2 vendeve përkatëse nga mediat e tyre vendase. Kështu u informuam, jo përmes njoftimit të Shqiptarëve fillimisht për këtë nismë e cila sigurisht nuk u ideua në 6 Nëntor dhe jo përmes konsultimit paraprak (pra, para nevojës për ratifikim) të çështjes në parlament, siç është pritshmëria prej kreut të ekzekutivit për një marrëveshje madhore ndërkombëtare.

Është veçse e natyrshme që impulsi imediat që të ngacmon si anëtare e shoqërisë civile është që lajmi për marrëveshjen të konsiderohet politikisht kontrovers dhe i mangët në transparencë. Në mënyrë instinktive, së dyti vjen nevoja për të hulumtuar e për tu informuar gjetkë, ndër burime serioze, rreth çështjes si mënyrë për të hedhur dritë përtej njoftimit fillestar bazik të dhënë në media e për të mbajtur veten të përditësuar. Kështu, kupton ndër të tjera edhe qëndrimin kolektiv e individual të shumë palëve relevante të cilët po ashtu si ty, lajmin e kanë marrë me skepticizëm për shkak të shumë të panjohurave në “ekuacion”. Kështu, organizata më e madhe e të drejtave të njeriut “Amnesty International” e ka cilësuar marrëveshjen ‘të paligjshme’ dhe ‘pamundshme’; Komisioni Evropian që ngre shqetësime për zbatimin ekstra-territorial të ligjit të BE-së për migrimin; Këshilli i Evropës që vë theksin të eksternalizimi i kufinjve  si trend shqetësues Evropian që cënon të drejtat e emigrantëve e azil-kërkuesve; UNHCR (Komisioneri për Emigrimin i OKB-së) që deklaruan zhgënjimin që nuk ishin vënë në dijeni paraprakisht, e shumë të tjerë. Në fakt, në asnjë skenar ideal një shtet i BE-së apo një organizëm nuk duhet të shtrijë kufinjtë e vet përtej shtetit për rastin e azil-kërkuesve (eksternalizimi i kufinjve) pasi precedente të rrezikshëm vinë prej kësaj praktike (shëmbuj si UK- Ruanda; Itali -Libi; BE – Turqi, etj.).

Nga ana tjetër, ngre dyshime serioze rreth të qënurit realist dhe i zbatueshëm edhe angazhimi i kryeministres Italiane për ta quajtur si investim e përgjegjësi vetëm apo kryesisht të palës Italiane duke u zotuar për një kontribut financiar të dedikuar. Kjo sepse nuk del e qartë për askënd nëse vlera në fjalë, 16.5 milion euro, është bazuar në analize të kostove aktuale të ngritjes dhe manaxhimit të këtyre qendrave. Kjo përfshin infrastrukturë, staf, kujdes shëndetësor, shërbime ligjore, siguri, baza e përditshme operacionale etj. Për më tepër, nëse kjo vlerë është konsideruar për kohëzgjatjen e parashikuar prej 5 vitesh të marrëveshjes, gjasat janë që të jetë e pamjaftueshme për një mbulim të kujdesshëm të të gjithë aspekteve për kushte dinjitoze dhe me standarte të ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, duhen marrë në konsideratë edhe sfidat operacionale që vinë me kompleksitetin e manaxhimit të qendrave të azil-kërkuesve në një shtet tjetër si p.sh logjistike, rekrutim njerëzish dhe trajnim i tyre, të qënurit në linjë me ligjet vendase dhe ndërkombëtare si dhe koordinimi me autoritetet vendore. Cilësia e shërbimit duhet të jetë e lartë përfshirë respekti për të drejtat e azil-kërkuesve përmes ofrimit të kushteve dinjitoze të jetesës, aksesit të mbështetjes ligjore dhe psikologjike, mundësisë për të qënë të informuar rreth proçesit të aplikimit të tyre për azil. Konsiderohet e vështirë të ruhen këto standarte kur “shërbimi jepet me kontraktim të jashtëm”, apo siç është termi universal për rastin, “outsourcing”.

Përgjegjësia dhe mbikqyrja në një vend të huaj, jashtë BE-së si në rastin tonë, parashtron sfida të konsiderueshme pasi duhen zbatuar standarte e sisteme ligjore të të dy vendeve, jo vetëm Italisë. Përse kryemistri ynë nuk e konsideroi tu japë mundësia ekspertëve apo këshilltarëve vendas për të analizuar këtë gjë në advancë?!

Tani, disa reflektime për 3 aspekte tjera të marrëveshjes në fjalë. Së pari, një mungesë totale vlerësimi apo konsiderate për impaktin e lajmit social, ekonomik e shoqëror në komunitetin lokal (Lezhë) specifikisht, si dhe në tërë territorin Shqiptar përgjithësisht. E vërteta është se asnjë masë e arsyeshme nuk është marrë ende nga strukturat në nivel qëndror apo vendor (Lezhë – përtej banalizimit të situatës me meme virale diskriminuese) as për të neutralizuar narrativën e dëmshme që po qarkullon masivisht në kategori të tëra të shoqërisë për mundësi rritje kriminaliteti prej “epsheve seksuale të të zinjve” Afrikanë.

Së dyti, përputhshmëria më ligjet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut është një tjetër aspekt jetik që ka nxitur masivisht kriticizmin e marrëveshjes, me të drejtë! Këtu mund të ndalemi më gjatë duke theksuar se Italia në veçanti është përballur me kritika të shumta në vitet e fundit për sistemin e tyre të manaxhimit të imigrantëve me qendra pritjeje të tejmbushura siç është rasti i ishullit pritës Lampedusa me azil-kërkues të ngjeshur përtej kapaciteteve; rastet e tërheqjes së forcave detare Italiane prej monitorimit dhe misioneve të shpëtimit në Mesdheun Qëndror duke i lënë refugjatët për kohë të gjata në det e shkaktuar vdekje në tentativa për të notuar distancat deri në breg; në 2018, Salvini hoqi shumë të drejta mbrojtjeje mijëra emigrantëve çka solli krizë humanitare për azil-kërkuesit e emigrantët në këtë vend; të mbështeturit e qeverive të ndryshme Italiane ndër vite masivisht në zgjidhje emergjente dhe jo të qëndrueshme; ligje kufizuese që pengon azilantët të kërkojnë mbrojtje, proçedura të drejta dhe shijojnë të drejtën e lëvizjës së lirë duke hequr edhe të drejtën e disa shërbimeve jetike në qendrat e pritjes; bashkëpunimi i vazhdueshëm i Italisë me Libinë ku emigrantët e azilantët përballën me abuzime të shumta). Pra, ky vend me sforco të shumta administron fluksin migrator për shkak të burimeve të alokuara, influencës politike, sfidave ligjore dhe konsideratave për të drejtat e njeriut, konsiderohet se ka një sistem jo-efikas, të papërshtatshëm për mbrojtjen e të drejtave të azil-kërkuesve dhe me shkelje potenciale të të drejtave të njeriut.

Së treti, le të konsiderojmë edhe impaktin në turizëm meqë Shëngjini është një atraksion për një numër të lartë vizitorësh dhe ngritja e një qendre pritjeje në zonë mundet ose të sjellë ndryshime fizike në peisazh ose në perceptime nga ana e vizitorëve/turistëve  të ndryshimeve duke e bërë më pak atraktive për ta zonën. Përtej kësaj, ndryshimi i përdorimit aktual të zonave specifike (hapësirë e portit në Shëngjin dhe aeroporti i mëparshëm ushtarak në Gjadër) përmes ndërtimeve të reja apo modifikimit të strukturave ekzistuese mund të ketë ndikime mjedisore në ekosisteme të zonave. Shto këtu eshte nevojën e shtuar për manaxhim mbetjesh dhe konsum burimesh si ujë, energji, infrastrukturë e mbetjeve si konsiderata për të minimizuar impaktin në mjedis. E së fundmi rreth kësaj pike, nuk ka si mbeten jashtë vëmëndjes edhe pasojat e mundshme në kapacitetet e infrastrukturës lokale të fluksit të shtuar të njerëzve në zonë në terma të ujërave të zeza e furnizimit me ujë dhe elektricitet.

Për ta përfunduar, është e padiskutueshme që marrëveshja në fjalë nevojitet të analizohet përtej investimeve financiare të premtuara, por të merret parasysh opinioni dhe qëndrimet e informuara të ekspertëve dhe institucioneve relevante rreth çështjes, në vend të heshtjes rreth tyre.    

Si H.A.N.A, ne advokojmë për transparencë dhe përfshirje të publikut, për këtë arsye po i drejtohemi institucionit të Bashkisë Lezhë me një kërkesë për të mbajtur forum me komunitetin dhe përgjigjur ndërshmërisht, seriozisht dhe etikisht shqetësimeve të tyre. Është detyra direkte e bashkisë të informohet e prononcohet publikisht për këtë çështje duke mos anashkaluar përgjegjësinë ndaj banorëve Lezhjanë me argumente të llojit “hapësira e propozuar është pronë e Ministrisë së Mbrojtjes” dhe jo e Bashkisë Lezhë sepse flitet në fakt për pikëpyetje legjitime të komunitetit të gjërë Lezhjanë! Po ashtu, H.A.N.A ka startuar online pyetësorin rreth qëndrimeve absolute (Dakort/Jo Dakort) të Shqiptarëve (Lezhjanve në veçanti) rreth marrëveshjes në fjalë.

https://www.reuters.com/world/europe/italy-pm-hails-migrants-deal-with-albania-possible-model-eu-2023-11-07/

https://www.amnesty.org/en/latest/news/2023/11/italy-plan-to-offshore-refugees-and-migrants-in-albania-illegal-and-unworkable/

https://www.dw.com/en/italy-to-send-migrants-to-reception-centers-in-albania/a-67323829#:~:text=,port%20of%20Shengjin%20and%20the

https://www.euronews.com/my-europe/2023/11/15/italy-albania-migration-deal-falls-outside-eu-law-says-commissioner-ylva-johansson

https://www.reuters.com/world/europe/italy-albania-migrants-deal-does-not-breach-eu-law-brussels-says-2023-11-15/

https://www.ansa.it/english/news/2023/11/13/council-of-europe-concerned-about-italy-albania-agreement_6432fe56-2102-4397-86ad-d18928c132ef.html

https://www.coe.int/en/web/commissioner/-/italy-albania-agreement-adds-to-worrying-european-trend-towards-externalising-asylum-procedures

https://www.unhcr.org/news/press-releases/unhcr-transfer-arrangements-asylum-seekers-and-refugees-must-respect

https://www.ansa.it/nuova_europa/en/news/countries/albania/2023/11/29/unhcr-expresses-concern-about-externalising-asylum-procedure_9b1e1b50-7e16-4f73-b850-da8b9391ef57.html